SHBA, nis zhbërja e “Obamacare”

13/01/2017 00:00

Dhoma e Përfaqësuesve votoi në favor të një plani për nisjen e zhbërjes së “Obamacare”, pavarësisht dyshimeve në rritje mes republikanëve.

Projektligji buxhetor, i miratuar nga Senati ditën e enjte, i hap rrugën krijimit të legjislacionit për të ribërë projektin e vitit 2010, një prej trashëgimive më të rëndësishme të administratës “Obama”.

Megjithatë, ligjvënësit nga të dyja kampet politike kanë kritikuar mungesën e një ligji zëvendësues, për ligjin me një ndikim tejet të lartë. Përplasja politike ngre një pikëpyetje të mëdha mbi sigurimet shëndetësore të mbi 20 milionë amerikanëve.

Të nxitur prej Donald Trumpit, republikanët ishin angazhuar për zhbërjen e ligjit, por deri më sot, konservatorët nuk kishin rënë dakord mbi një plan të ri.

Presidenti i zgjedhur, i cili merr çelësat e Shtëpisë së Bardhë pas një jave, shkroi mëngjesin e kësaj të premteje në “Tëitter” se “Akti për Kujdesin e (Pa)përballueshëm, shumë shpejt do të mbetet një histori”.

Masa e miratuar sot udhëzon 4 komitete të Capitol Hill për të hartuar projektligjin përmbysës deri më 27 janar. Republikanët shpresojnë se projektligji i ardhshëm i barazimit buxhetor, që do t’i heqë financimet “Obamacare”, do të kalojë rreth një muaj më pas. Ky projektligj mund të kalojë edhe me shumicë të thjeshtë, të cilën republikanët e kanë në Kongresin e kontrolluar prej tyre.

“Akti i Kujdesit të Përballueshëm” i njohur edhe si “Obamacare” u ka ofruar subvencione për kujdesin shëndetësor dhe mbulim mjekësor për miliona amerikanë që nuk munden t’i sigurojnë ato për shkak se janë të papunë. Ai ka ndaluar gjithashtu kompanitë e sigurimit të refuzojnë mbulimin ndaj njerëzve që janë të sëmurë, ndërsa ka ulur taksat për të sëmurët dhe të moshuarit. Megjithatë, ligji i Obamës është ndeshur me rritjen e çmimeve të sigurimit, tarifa më të mëdha dhe daljen nga tregu të kompanive kombëtare të sigurimit.

Top Channel