PD: Rama vazhdon të tallë studentët me reformën e tij

13/01/2017 00:00

Partia Demokratike ka ironizuar deklaratat e kryeministrit Rama se, reforma në arsim ka ndihmuar të rinjtë të arrijnë rezultate të larta në testin PISA.

“Kryeministri ynë ende nuk e ka kuptuar që testi PISA nuk është kulla e PISA-s, nga maja virtuale e së cilës ai të mund t’i përqeshë nxënësit, mësuesit, studentët e profesorët, siç bëri sot në takimin me 15-vjeçarët. PISA është testi që mat një investim shumëvjeçar arsimor e social”, ka thënë deputeti Luçiano Boçi.

Sipas tij, merita e rezultateve të tyre nuk i takon as Ramës e as Nikollës, por aftësive personale dhe zgjidhjeve programore e lëndore të ndërtuara që nga viti 2007.

“‘Reformat’ e Ramës nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë ‘ngrirë’ arsimin dhe i kanë grirë nga xhepat nxënësit, studentët dhe familjarët e tyre. Kanë atrofizuar mësimdhënien dhe kanë ulur ndjeshëm cilësinë. Kanë degraduar deri në pamundësi kryerje të procesit mësimor institucionet arsimore, duke mos bërë asnjë investim në këto vite”, ka thënë Boçi.

Ai ka shtuar se, “reforma në arsim e Ramës ka prodhuar lumenj leku e interesi për klientelën e tij dhe lumej talljeje, përçmimi, arrogance e zhvatjeje për mësuesit, nxënësit, shkollat, pedagogët dhe universitetet publike”.

Top Channel