Në Francë bie besueshmëria e sondazheve, “Le Parisien” i braktis

13/01/2017 00:00

Marrëdhënia e komplikuar dashuri-urrejtje e Francës me sondazhet është kthyer në qendër të vëmendjes, pasi një gazetë njoftoi se do të hiqte dorë nga publikimi i sondazheve në prag të zgjedhjeve presidenciale, duke u fokusuar më shumë te raportimi në terren për të qenë më pranë njerëzve.

Vendimi i paprecedentë i të përditshmes “Le Parisien” u mor pas disa muajsh diskutime nga ana e stafit të gazetës, pas votimit të Britanisë për t’u shkëputur nga Bashkimi Europian dhe zgjedhja e Donald Trumpit president.

Të dyja këto ngjarje e gjetën median të papërgatitur. Deri më tani, sondazhet në Francë sugjerojnë se zgjedhjet do të vënë përballë njëri-tjetrit kandidatin republikan François Fillon dhe udhëheqësen e Frontit Nacional, Marin Le Pen.

Por pas avancimit të kandidatit të pavarur të qendrës, Emanuel Macron, dhe të majtit Jean-Luc Mélenchon, nuk ka siguri se kush do të mbërrijë në “finish”.

Franca ka numrin më të lartë të sondazheve politike në botë, me qindra të tillë të publikuar në vitin që parapriu zgjedhjet e 22 janarit. Por disa elementë po tregojnë se ato janë gati të pamundura të parashikohen, përfshirë parapraket socialiste për të zgjedhur kandidatin presidencial.

Ish-kryeministri Manuel Valls vazhdon të jetë favorit, por në debatin e parë televiziv mbrëmjen e së martës nuk arriti të bindë. Ish-ministri i Ekonomisë, Arnaud de Montebourg, duket të jetë sfidanti kryesor dhe me shumë gjasa fati i tyre mund të përcaktohet në një balotazh.

Top Channel