Qeveria, mbrapa për realizimin e investimeve publike

13/01/2017 00:00

Për gjithë vitin 2016, buxheti total i investimeve publike ishte 59.2 miliardë lekë. Por sipas të dhënave të sapopublikuara nga Ministria e Financave, deri në fund të 11 mujorit qeveria ka realizuar më pak se 75 për qind të këtij fondi.

Kjo do të thotë se vetëm për dhjetorin, shtetit i janë akumuluar rreth 14.5 miliardë lekë ose mbi 110 milionë dollarë investime të pakryera për të përmbushur planin vjetor.

Të dhënat e muajit dhjetor nuk janë publikuar ende, por ekzekutimi i projekteve publike për 11-mujorin tregon se realizimi i investimeve të qeverisë mbetet problematik. Kjo edhe pse buxheti i tyre për 2016-n është më i ulëti në disa vjet.

Investimet publike kanë qenë një nga zërat më të prekur nga masat shtrënguese të qeverisë për të ulur borxhin. Vitin e kaluar buxheti qendror i investimeve publike u ul me rreth 4 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë.

Por të dhënat e publikuara të enjten nga INSTAT tregojnë se varka e shpëtimit për qeverinë ka qenë sektori privat. Pavarësisht bilancit negativ të projekteve publike, në total investimet në ekonominë shqiptare janë rritur ndjeshëm falë ecurisë së fortë pozitive të investimeve private nga kompanitë e huaja dhe ato vendase.

Sipas tabelave të INSTAT, për nëntë muajt e parë të vitit 2016 investimet totale në ekonomi ishin 16.8 miliardë lekë, ose rreth 130 milionë dollarë më të larta se sa një vit më parë, duke qenë një nga burimet kryesore të rritjes ekonomike.

Top Channel