Antikonformistja Kidman: Amerikanët ta mbështesin Trumpin!

13/01/2017 00:00

Nicole Kidman ka dhënë një mesazh, i cili rrallëherë mund të dëgjohet nga elitat e “Hollywood”-it: Amerikanët duhet ta mbështesin presidentin e zgjedhur Donald Trump.

Këtë e ka bërë teksa fliste për një emision të “BBC Two”, ku promovoi filmin e bazuar mbi një histori reale “Lion”, të cilin e përshkroi si një “letër dashurie për nënat dhe fëmijët”. Në këtë film, ajo luan rolin e një gruaje australiane, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, adoptojnë një djalë të humbur indian të quajtur Saroo.

Gjatë intervistës, gazetarja Derbyshire solli në qendër të vëmendjes dyshtetësinë australiano-amerikane të aktores, madje theksoi se ajo kishte votuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

“Kam qenë gjithnjë e rezervuar në komentet politike, – u shpreh Kidman. – Nuk e kam bërë kurrë këtë në lidhje me Amerikën apo Australinë. Jam më shumë e përqëndruar te çështjet bazë”.

Në vijim të intervistës, ajo tha se “tashmë mund të them se ai është zgjedhur dhe ne të gjithë, si vend, duhet të mbështesim cilindo president, sepse kjo është baza mbi të cilën qëndron një vend. Çfarëdo që të themi, kjo gjë ndodhi tashmë, ai është aty dhe le ta lëmë të punojë”.

Pas këtyre komenteve, ajo nisi menjëherë të fliste mbi dy tema të rëndësishme: martesat brenda të njëjtit seks dhe kujdesin shëndetësor të femrave dhe barazinë gjinore. E para, sipas saj duhet të jetë e ligjshme në Australi. Ndërsa për të dytën, ajo shprehet se “jam tejet e angazhuar mbi çështjet e femrave, kryesisht me punën që bëj për grumbullimin e fondeve për gratë e OKB-së dhe udhëtimet në këtë aspekt”. Ajo shtoi se bën një punë tejet të rëndësishme në rritjen e fondeve për luftën ndaj kancerit të gjirit dhe të mitrës, sepse këto gjëra ndikojnë thellë në familje.

Pas komenteve të bëra, Kidman ra shumë shpejt prè e kritikave në rrjetet sociale. “Mendoj se është koha që Nicole Kidman të largohet për në Rusi”, shkroi një “Twitter” një përdorues. “Nicole Kidman u martua me Tom Cruise, një shkencëtar. Këshilla e saj është gjëja e fundit për të cilën ka nevojë Amerika!”, shkroi një tjetër përdorues. “A do ta ndiqje Hitlerin, vetëm sepse ai mori një post?”, pyeti një përdorues i rrjeteve sociale.

Komentet e yllit të kinemasë duken se përbëjnë një ndarje të thellë nga retorika e përdorur nga shumica e figurave të shquara të kinematografisë që prej fitores surprizë të Trumpit kundrejt Hillary Clintonit. Më e fundit ishte Meryl Streep, e cila në fjalimin e saj të mbajtur në ceremoninë e “Golden Globes”, përkrahu virtytet e një “shtypi parimor” dhe dënoi fuqishëm ata që përdorin teknika si bullizmi si një mjet kontrolli. Ajo gjithsesi nuk e përmendi aspak emrin e Trumpit, edhe pse foli pikërisht për të, duke sjellë rolin e “një personi që kërkon të ulet në karrigen më të respektuar të Amerikës, duke imituar një reporter me aftësi të kufizuara”.

Për deklaratat e saj, Trump përdori mënyrën e tij të parapëlqyer për të ofenduar, duke shkruar në “Twitter” se Streep, fituese e 3 çmimeve “Oscar” dhe e nominuar për 19 të tillë, ishte e “mbivlerësuar” dhe e quajti një “shërbëtore” të Hillary që humbi thellë.

Bruce Springsteen, i cili duke iu referuar Trumpit është shprehur më herët për “Rolling Stone” me fjalët se “Republika është nën pushtimin e një të meti”, kohët e fundit ka dhënë një intervistë ku shprehte me zë të lartë kuriozitetin apo dyshimet nëse Trump “ishte mjaftueshëm kompetent për të bërë këtë detyrë të caktuar”.

E teksa fliste për zgjedhjen e Trumpit, Springsteen paralajmëroi: Ku njerëzit lejojnë të tillë xhinde të dalin nga shishja, fanatizmi, racizmi dhe mungesa e tolerancës sërish nuk do të ktheheshin brenda shishes me aq lehtësi sa ç’dolën prej andej. E nëse ka një rritje të krimeve nga urrejtja, kjo vjen sepse njerëzit ndihen sikur kanë “licencën” për të folur dhe për t’u sjellë në mënyra të tilla, që dikur konsideroheshin si antiamerikane dhe në fakt janë antiamerikane. Pikërisht për këtë po apelon ai (Trump). Frika ime është se këto gjera mund të gjejnë vend në shoqërinë tonë civile.

Top Channel