Spanjë, arrestohen 61 anëtarë të mafias gjeorgjiane

13/01/2017 00:00

Policia spanjolle ka arrestuar 61 anëtarë të mafias gjeorgjiane, e specializuar në grabitjen e banesave.

Operacioni, sikurse njoftojnë autoritetet iberike, është kryer pas disa muaj hetime dhe me ndihmën e Europol, policisë franceze dhe asaj gjeorgjiane.

Organizata kriminale nuk kryente aktivitetet “tradicionale” mafioze, por struktura e saj funksiononte si e tillë. Grupi ishte i ndarë në 9 celula me bazë në Madrid por që vepronin edhe në qytete të tjera si Malaga, Sevilia, Sabadell, Barcelonë, Alikante dhe Bilbao.

Shumica e të arrestuarve janë shtetas gjeorgjianë, por edhe 8 spanjollë.

Rritja e vjedhjeve të banesave detyroi policinë spanjolle të niste një hetim në fillim të vitit 2016, që u konkretizua me operacionin “Aikon I”, me 50 të arrestuar.

Por, duke qenë se aktiviteti kriminal vijoi, policia u detyrua të realizonte operacionin “Aikon II”, që u finalizua këto ditë.

Në kuadër të blicit agjentët kanë kontrolluar 26 shtëpi të përdorura si baza nga banda, kanë sekuestruar para, automjete, duhan, bizhuteri të vjedhura, si dhe çelësa të falsifikuar për të kryer grabitjet.

Top Channel