Rekord në El Salvador, 24 orë pa asnjë vrasje në vendin e bandave

13/01/2017 00:00

Policia në El Salvador thotë se vendi ia ka dalë mbanë të kalojë 24 orë pa asnjë vrasje, diçka e rrallë kjo në një vend të shënuar nga dhuna mes bandave.

El Salvadori ka një prej shkallëve më të larta të vrasjeve në botë, sipas Kombeve të Bashkuara. Mesatarisht 10 persona janë vrarë çdo ditë në El Salvador, deri në “të mërkurën e paqtë”, që nuk ishte aspak e pritshme.

Pjesa më e madhe e rasteve të dhunës shkaktohen nga bandat kriminale, të njohura në vend si “Maras”, që operojnë në të gjithë Amerikën Qendrore. Policia nuk dha ndonjë shpjegim për dhunën e munguar, por autoritetet mohuan zërat se ata kishin rikthyer në jetë një marrëveshje të polemizuar me bandat.

Grupet kriminale janë krijuar fillimisht në rrugët e Los Angelesit në vitet ’80, nga fëmijë të emigrantëve nga El Salvadori që largoheshin nga lufta e ashpër civile në vend.

Kur lufta u ndal në vitin 1992, e shumë prej tyre u kthyen në atdhe, ata morën kulturën e bandave të Los Angelesit me vete. Bandat janë përfshirë në trafik droge, grabitje dhe shantazhe. Dy bandat më të mëdha, aktive në rajon, janë “Mara Salbatrucha” apo “MS 13”, dhe “Mara 18” apo “banda e rrugës 18”.

Top Channel