Australianët “përziejnë” regbinë me Elvis Presley-n

13/01/2017 00:00

Kostumet mund të mos jenë të rehatshme për këtë lloj loje, por mbreti i “Rock&Roll”-it e meriton sakrificën.

Lojtarë amatorë të regbisë u veshën me rrobat e bardha të preferuara nga Elvis Presley dhe vunë në kokë parruke për t’i ngjasuar atij sa më shumë kur zbritën në fushë përballë njëri-tjetrit.

Eventi jozyrtar ishte pjesë e festivalit të kushtuar legjendës së muzikës që po mbahet në Parkes të Australisë.

Chris Summerhayes, kapiten i ekipit “Blue Suede Shoes” u shpreh: “Epo, njerëzit këtu janë të apasionuar pas regbisë e janë po kështu adhurues të Elvis Presley, ndaj thamë që t’i bashkojmë të dyja e t’u japim fansave atë që duan”.
 
Ndërsa arbitri Jay Quince tha: “Loja ishte e ashpër, por me këto veshje, edhe ca e vështirë. U përdor shumë forcë fizike. Disa nga lojtarët e humbën një pjesë të uniformës”.
 
Rregullat nuk është se u ndoqën shumë, ndërsa loja në fund u mbyll me barazim. Festivali i kushtuar këngëtarit legjendar në Parkes ul siparin në datën 15 janar, pas një parade në qendër të qytetit.

Top Channel