Tahiri shmang komentet për deklaratat e Manjanit

13/01/2017 00:00

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun austriak, Wolfgang Sobotka, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u pyet nga Top Channel në lidhje me deklaratat e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili foli në Top Story për diskutimin e një plani strategjik në luftën kundër kultivimit të hashashit.

Tahiri nuk komentoi deklaratat e kolegut të tij në Qeveri.

“Unë nuk jam komentator. Unë jam ministër dhe kam detyrimin të bëj punën time sa më mirë, për një Shqipëri më të drejtë, më të sigurt e më të zhvilluar. E në këtë kuadër unë nuk kam dëshirë të komentoj komentet dhe aq më pak kur komentet janë nga një koleg tjetër i imi i cili, si unë, ka detyrë të bëjë sa më mirë detyrën. Punën tonë e vlerëson dhe e gjykon publiku dhe qytetarët, të cilët, me plot të drejtë, presin sa më pak fjalë e sa më shumë punë”, tha ai.

Tahiri shtoi se lufta kundër drogës është një betejë e vazhdueshme e Policisë së Shtetit.
 
“Ajo që kemi bërë e që po bëjmë në luftën kundër drogës, jo vetëm por bashkë me partnerët, është prioritet maksimal i yni. Dhe Shqipëria, si në këto tre vite, do të vazhdojë të bëjë akoma më shumë për një Shqipëri të denjë për qytetarët shqiptarë”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Top Channel