Stuhia e acartë “Egon” përplaset mbi Gjermaninë

13/01/2017 00:00

Kryeqyteti gjerman po provon të ftohtin e vërtetë dimëror me përplasjen e stuhisë së dëborës “Egon” , një nga pasojat e para të së cilës ishin rrugët e mbuluara nga akulli dhe kaosi i trafikut.

“Kamioni përpara meje nisi të rrëshqiste dhe unë nuk e parakaloj dot më. Më duhet të ndaloj, por fatmirësisht disa makina të tjera kaluan para meje”, thotë shoferi i kamionit, Alexander Friesen.

“Kam gjysmë ore i bllokuar këtu. Disa automjete të tjera kanë ndaluar edhe ato. Makinat e vogla e kanë më të lëhte lëvizjen, por për kamionët është e vështirë”, shton Christoph Kubinski.
 
Mijëra vetë po zhvendosen nga shtëpitë e tyre përgjate bregut lindor të Anglisë mes paralajmërimeve nga rreziku i përmbytjeve masive, pasojë e trazimit të detit prej një stuhie të fuqishme dimërore.

Autoritetet kanë lëshuar 11 paralajmërime të tilla, që nënkuptojnë kërcënimin për jetën, edhe pse dallga e baticës në orët e para të ditës nuk ishte dhe aq e lartë sa ç’pritej. Ata po qëndrojnë në gatishmëri duke monitoruar situatën në çdo moment e duke informuar komunitetet më të kërcënuara. Policët në Jaywick, pranë Clacton on Sea, kanë shkuar derë më derë për të informuar banorët mbi situatën duke u kërkuar të largohen përkohësisht.

Për oregonin në Shtetet e Bashkuara, kjo ishte stuhia e parë e dëborës për  2017-n dhe erdhi me rekord reshjesh. Dëbora ka mbyllur shkollat në shtetin bregdetar, ka sjellë probleme të furnizimit me energji elektrike e shkaktoi shembjen e çatisë së palestrës në një shkollë historike të qytetit Bend, në kohën kur aty kishte qenë duke u zhvilluar mësim.

Reshjet e furishme të shiut ishin ndërkohë arsyeja e shembjes se një rruge në Pinole të Kalifornisë. Prej shirave të rrëmbyer, një ujësjellës i zonës u ça, duke hapur një gropë të nëndheshme poshtë rrugës.

I ftohti i acartë ka mbërthyer edhe pjesën veriore të Japonisë, ku solli reshje dëbore që nuk ishin parë prej vitesh.

Top Channel