Rally Dakar, Peterhansel rimerr kryesimin

13/01/2017 00:00

Stephane Peterhansel është ai që fitoi etapën e 10 të Rally Dakar në kategorinë e makinave, në një ditë të shoqëruar me të papritura. Francezi arriti t’ia marrë këtë vend bashkëkombasit të tij Sebastian Loeb, pas një vendimi nga komisarët e garës në fundin e etapës, ku fillimisht ishte pikërisht Loeb ai që rezultoi si fitues.

Peterhansel shënoi kohën e tretë më të mirë, me 6 minuta e 45 sekonda më shumë, por gjatë garimit të tij ai i erdhi në ndihmë Simon Marcic, të cilin e aksidentoi po ai vetë. Komisarët e garës ia hoqën minutat e shpenzuara nga Peterhansel duke bërë që situata të ndryshojë. Loeb e pa veten në vendin e dytë në këtë etapë, me 7 minuta e 28 sekonda më shumë, ndërkohë që Despres  u rendit i treti.

Në renditjen e përgjithshme, Peterhansel ia mori sërish vendin e pare Loebit, ndaj të cilit tani kryeson me 5 minuta e 50 sekonda, ndërkohë që vendin e tretë vazhdon ta mbajë Cyril Despres.

Në kategorinë e motorëve, fitorja e etapës së 10 i shkoi spanjollit Joan Barreda, me 5 orë 49 minuta e 45 sekonda, i ndjekur nga Svitko me vetëm 24 sekonda më shumë. Ndërkohë që në vendin e tretë u pozicionua piloti argjentinas i Hondës, Caimi.

Përsa i përket renditjes së përgjithshme nuk ka ndryshime. Sunderland po forcon çdo ditë e më shumë pozitat e tij në krye dhe tashmë diferenca me Walkner të vendit të dytë ka arritur në 30 minuta e 1 sekondë, ndërkohë që në vendin e tretë gjendet spanjolli Farres Guell.

Top Channel