Presidenti Thaçi: Çështja e Kosovës, politikë zyrtare e Amerikës

12/01/2017 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se është fat i mirë, që çështja e Kosovës nuk ka qenë e lidhur vetëm me një kamp politik në Uashington, por ka qenë një politikë zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një mbështetje e të dy kampeve politike, edhe republikan, edhe demokrat.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Thaçi ka folur edhe për arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë, duke e cilësuar atë si akt arbitrar.

Synimi i vizitës së tij në Uashington në prag të ndërrimit të administratave, siç shprehet Thaçi, së pari është falenderimi i administratës “Obama”, konkretisht zv.presidentin Joe Biden, për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë Republikës së Kosovës dhe stabilitetit jo vetëm kosovar, por edhe rajonal.

Ai thotë se është krenar që e nis këtë vit me këtë vizitë në Amerikë, ku ka informuar zyrtarët për progresin e shënuar në Kosovë, por edhe për të vazhduar hapat e tjerë me administratën e re të presidentit Trump.

“Në të gjitha takimet që kam zhvilluar, me senatorë e kongresmenë të të dyja kampeve politike, republikanë dhe demokratë, me njerëz të instituteve të ndryshme, kemi arritur në përfundimin se Kosova ka ecur shumë mirë, duhet të vazhdojë në rrugën e vet drejt integrimit euroatlantik, atë të reformave demokratike në politikë dhe ekonomi, apo edhe në legjislacion, por edhe në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kundër fundamentalizmit islamik dhe terrorizmit”, është shprehur Thaçi ndër të tjera.

Sa i përket pritshmërisë së tij nga administrata e re në lidhje me Kosovën, në një kohë që në Uashington ndryshimet pritet të jenë të mëdha pas 8 vitesh pushteti të demokratëve, Thaçi thotë se “është fat që çështja e Kosovës është e lidhur me të dyja kampet”.

“Në kohën e presidentit Clinton ne kemi fituar lirinë dhe jemi çliruar. Në kohën e presidentit Bush kemi fituar pavarësinë, ndërsa në kohën e presidentit Obama jemi konsoliduar si shtet. Unë pres që edhe administrata e re e presidentit Trump të mbështesë Kosovën. Nuk mund të them se do të ketë vëmendje sikurse më herët, dhe kjo është mirë pasi Kosova nuk është vend në krizë, por jam i bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe administrata e Trumpit do ta mbështesin Kosovën në rrugën e saj për themelimin e ushtrisë, për futjen në partneritetin për paqe, dhe prespektivën drejt NATO-s. Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm dhe falenderues i përjetshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë mbështetje”, ka thënë Thaçi.

Arrestimin e Ramush Haradinajt, Thaçi e konsideron veprim arbitrar, sikurse janë konsideruar edhe ndalimet e vet atij, të Nehat Thaçit dhe ish-kryeministrit Agim Çeku, të cilat paraqesin një akt ofendues për dinjitetin e Kosovës dhe qytetarët kosovarë.

“Është një veprim i politikës së vjetër të Serbisë, si në kohën e Slobodan Milosheviçit. Serbia, pasi humbi luftën me Kosovën dhe betejën për të penguar pavarësinë e saj, tani përpiqet me çdo kusht për t’i paraqitur si të kriminalizuar udhëheqësit politikë të Kosovës. Edhe kjo tendencë do të dështojë, prandaj lirimi me kusht i zotit Haradinaj, së pari është një veprim i mirë, e në anën tjetër është i pamjaftueshëm. Do të duhej që ai të lirohej pa asnjë kusht dhe të kthehej në shtëpi dhe të merrej me axhendën e tij politike”, thotë Thaçi.

Thaçi ka kërkuar edhe nga BE-ja që të ishte shumë më e qartë në raport me Serbinë, në mënyrë që gjëra të tilla të mos lejohen në të ardhmen.

Top Channel