“Fiks Fare”, zjarrfikësit në mëshirë të fatit. Prrenjasi, pa zjarrfikëse

12/01/2017 00:00

Shërbimi për Mbrojtjen dhe Shpëtimin ndaj Zjarrit është lënë në harresë për shumë kohë. Ai “mbahet në këmbë” me automjete të amortizuara ose të paregjistruara. Këtë fat duket se e kanë të gjitha zjarrfikëset në vend.

Veç kësaj, problematike mbetet numri i reduktuar i punonjësve, mungesa e uniformave të zjarrit dhe sistemit të ndërlidhjes. “Heronjtë” shqiptarë madje janë detyruar të vënë parà nga xhepi i tyre për të riparuar defektet e automjeteve të viteve ’70-’80.

“Fiks Fare” shkoi në disa qytete për të parë nga afër gjendjen dhe infrakstrukturën, në të cilat PMZSH-të punojnë dhe japin ndihmën e shpejtë.

Në Prrenjas, Emergjencat Civile e japin ndihmën e shpejtë me depoziat uji të montuara mbi kamionë.

“Fiks Fare” ka qenë në Bashkinë e Prrenjasit, e cila nuk ka shërbim zjarrfikës. Banorët shprehen se, në të gjitha rastet i kanë shuar vet zjarret, pasi edhe shërbimi që iu ofrohet nga Librazhdi vjen me 4 orë vonesë.

“Patëm një rast para disa kohësh, kur u dogj një biznes këtu afër. Kur mbërriti zjarrfikësja e Librazhdit pas 4 orëve, ne e kishim shuar vet zjarrin” u shpreh një banor.

Sipas drejtorit të Shërbimeve Sociale dhe Emergjencave Civile, Nebi Muçaj, situatat e zjarrit janë zgjidhur me mënyra alternative. Muçaj shpjegon se, mungesa e infrastrukturës në pajisje, si dhe asaj rrugore, e cila e vonon dhënien e ndihmës nga Librazhdi, ka bërë që fikja e zjarreve të bëhet nga depozitat e ujit, të cilat montohen mbi kamionë.

“Kemi ndërhyrë vet, sidomos kur bëhet fjalë për pyjet. Në kamionë të mëdhenj kemi montuar depozita me ujë dhe me pompë kemi shuar zjarret. Vjet humbëm rreth 30 hektarë pyje, pjesën tjetër e shpëtuam në këtë mënyrë”, shprehet ai.

Situata, sipas Muçajt, është më e vështirë kur bëhet fjalë për të ndërhyrë në rastet e aksidenteve rrugore, të cilat janë të shumta.

“Ne nuk kemi pajisje për të ndërhyrë, por edhe Librazhdit i mungojnë totalisht”, thotë ai.

Lidhur me këtë problematikë, Muçaj pohon se është çelur një fond nga qeveria shqiptare, prej 7 milionë lekësh, të cilat mjaftojnë vetëm për rrogat e 9 punonjësve. Ndërsa përsa i përket pajisjeve, automjeteve, si dhe godinës, ai thotë se nëpërmjet fondit që do të çelë Bashkia e Prrenjasit, si dhe me ndihmën e partnerëve italianë do t’i jepet një zgjidhje edhe këtij problemi.

Top Channel