Gazi greko-izraelit, projekt për shfrytëzimin e depozitës gjigante

12/01/2017 00:00

Vetëm një muaj pas takimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, me homologun e tij grek, Alexis Tsipras, për një bashkëpunim në sektorin energjetik dhe shfrytëzimin e depozitave natyrore, kompania greke “Energean Oil & Gas” publikoi një plan të ri energjetik, sipas të cilit planifikon të ndërtojë sistemin e vet të prodhimit të gazit natyror në Mesdheun Lindor.

Ajo do të shfrytëzojë me këtë projekt energjetik gjigant, që ka një kosto prej 1.5 miliardë eurosh, dy depozita izraelite gazi në det të hapur.

“Energean”, që është edhe prodhuesi i vetëm i naftës në Greqi, është gjithashtu në kërkim të një partneri financiar në këtë projekt, për depozitat “Tanin” dhe “Karish”, të cilat ndodhen rreth 100 kilometra nga brigjet e Izraelit dhe vlerësohet se kanë rezerva gazi prej 6.8 trilionë metra kubikë.

Kjo kompani ka fituar tenderin e shfrytëzimit në gushtin e kaluar, përkundrejt shumës prej 148 milionë eurosh dhe investimi synon krijimin e një sistemi të pavarur të një platforme detare të prodhimit të gazit natyror.

“Energean” do të fillojë në muajt e ardhshëm zbatimin e projektit, ndërsa në Selanik pritet të takohen përsëri Tsipras, Netanyahu dhe presidenti qipriot Anastasiadis, me synim bashkëpunimin tripalësh për ndërtimin e gazsjellësit që do të transportojë në Europë gazin natyror nga Izraeli dhe Qipro, nëpërmjet Greqisë.

Top Channel