Refugjatët e bllokuar në Serbi, në kushte ekstreme mes luftës dhe akullit

12/01/2017 00:00

Kanë ardhur deri këtu në rrugën e tyre. Këtu u ka dalë përpara një kufi tjetër. Këta njerëz nuk kanë rrugë tjetër. Ata që janë jashtë kampeve institucionale, ndihmën e kanë të vogël. Në gjurmët e jetës, jetën e jetojnë keq.

Jana është psikologe nga Beogradi. Ajo dhe kolegët i vizitojnë çdo ditë refugjatët.

“Është e vështirë me acarin, pasi kushtet për ta janë vështirësuar. Për ne si aktivistë është e vështirë edhe disa minuta, kurse refugjatët flenë këtu”, tha Jana Stojanoviç, psikologe nga organizata “APC”, Beograd.

Pak më tutje në një park, për ilaçe dhe kupon për dush presin refugjatët e tjerë. Lusin për ndihmë, pasi thonë se pak shpresë u ka ngelur.

“Ju lutem na merrni, ju lutem. Kërkojmë nga Europa t’i hapë kufijtë. Ne nuk duam probleme, jemi të gjithë të edukuar, të rinj dhe duam të punojmë bashkë, sepse kemi çfarë të ofrojmë”, tha Mohamed Ezim, refugjat nga Pakistani.

Qindra refugjatë, në acarin e madh që ka mbuluar Ballkanin, po sfidojnë kushtet mesjetare të jetesës për të kërkuar një jetë më të mirë në vendet e Perëndimit. Megjithatë, shumica prej tyre nga Afganistani e Pakistani nuk kanë dokumente dhe nuk mund të shkojnë më tej, për shkak të barrierave pas vendimeve të Bashkimit Europian.

Top Channel