Europa, nën akull. Pamje spektakolare në Greqi

12/01/2017 00:00

Vala e të ftohtit që ka mbërthyer Europëen vazhdon të shkaktojë viktima, të paktën 73 sipas organizatave humanitare.

Vendi më i prekur është Polonia, ku termometri zbriti nën -20 gradë Celsius dhe të vdekurit janë me dhjetëra, kryesisht të pastrehë. Por nuk bëjnë përjashtim as Turqia, Greqia, Italia e Rusia, ku u shënuan temperaturat më të ulëta në më shumë se një shekull.

Bora dhe i ftohti ekstrem, që nuk po e lëshojnë Greqinë prej 5 ditësh, ka izoluar shumë fshatra, ka paralizuar transportin e ka lënë banorët të bllokuar në shtëpitë e tyre. Autoritetet po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugëve, rikthimin e energjisë elektrike dhe shpëtimin e civilëve.

Pilotët e Forcave Ajrore greke, në një helikopter ushtarak “Super Puma”, shpëtuan një familje dhe një çift tjetër të bllokuar në shtëpitë e tyre në ishullin turistik të Skopelos.

Pamjet treguan pilotët teksa tërhiqnin me litarë banorët nga oborret e shtëpive të mbuluara tërësisht nga bora. Skopelos, që ndodhet në detin Egje, e gjithashtu ishujt e Evias dhe Alonnisos ishin mes më të goditurve nga i ftohti ekstrem, me disa zona që janë zhytur në më shumë se një metër borë.

Top Channel