Kreu i ardhshëm i CIA-s, qëndrim antirus: Do të drejtoj mes një ambienti kërcënues

12/01/2017 00:00

I përzgjedhuri i Donald Trump për të drejtuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës, CIA, mbajti gjithashtu një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë gjatë kësaj të enjteje, duke e distancuar veten e tij nga presidenti i zgjedhur, i cili kërkon marrëdhënie më të ngrohta me Moskën.

Republikani Mike Pompeo, një konservator prej 4 mandatesh i Kansasit, foli gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij përpara Komitetit të Shërbimeve Sekrete në Senat, në mesin e një ngërçi mes Trumpit dhe komunitetit të spiunazhit mbi aktivitetin rus gjatë zgjedhjeve presidenciale.

“Rusia është riafirmuar si agresive, duke pushtuar dhe uzurpuar Ukrainën, duke kërcënuar Europën dhe duke mos bërë asgjë për të ndihmuar në luftën ndaj ISIS”, tha Pompeo, duke iu referuar militantëve të Shtetit Islamik.

Nëse konfirmohet, Pompeo do të marrë kryesimin e CIA-s në atë që tha se ishte “ambienti kërcënues më i komplikuar, me të cilin Shtetet e Bashkuara janë përballur në vitet e fundit”.

Pompeo ka qenë një prej zërave më të fuqishëm të komitetit të njëanshëm të Dhomës së Përfaqësuesve, të ngritur për të hetuar sulmin vdekjeprurës ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë në vitin 2012, ngjarje që ka ndodhur kur Hillary Clinton ishte Sekretare e Shtetit. Ai tha para komitetit se, e kupton fare mirë që si drejtor i CIA-s do të duhet të kalojë nga statusi i një ligjvënësi partizan drejt një mbledhësi objektiv informacionesh sekrete.

“E kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime jashtë politikës. Si oficer kalorësie i ushtrisë amerikane, jurist dhe kryetar i dy bizneseve prodhuese”, tha Pompeo. “Rikthimi në këtë detyrë që kërkon shumë punë dhe sinqeritet të pagabueshëm, është diçka e rrënjosur thellë në trupin tim”.

Si drejtor i CIA-s, Pompeo mund të vihet në një pozicion disi të sikletshëm të riparimit të marrëdhënieve mes Trumpit dhe zyrtarëve të inteligjencës. Trump pranoi vetëm së fundi, teksa ka kundërshtuar prej një kohe të gjatë gjetjet e agjencive sekrete se Rusia, specifikisht presidenti Vladimir Putin, kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të 2016-s me objektivin për të ndihmuar Trumpin të zgjidhej. CIA është njëra prej tri agjencive kryesore që doli në këtë konkluzion.

Sa u përket çështjeve të tjera, Pompeo tha se Irani është bërë tashmë një lojtar “edhe më i inkurajuar dhe shkatërrues në Lindjen e Mesme”. Ai tha gjithashtu se Koreja e Veriut kishte zgjeruar në mënyrë të rrezikshme kapacitetet e saj bërthamore dhe të raketave balistike. Ndërkohë që e quajti konfliktin në Siri një katastrofë tragjike humanitare, që ka çuar drejt rritjes së ekstremizmit dhe sektarizmit, duke destabilizuar Lindjen e Mesme dhe Europën.

Pompeo është shfaqur kritik i administratës “Obama” sa i përket marrëveshjes bërthamore me Iranin, që i dhuroi Teheranit lehtësimin e sanksioneve për ndalimin e programit të armëve bërthamore të Republikës Islamike.

“Edhe pse e kundërshtova marrëveshjen me Iranin si anëtar i Kongresit, nëse zgjidhem, roli im do të ndryshojë”, tha Pompeo. “Do ta udhëheq agjencinë drejt një mënyre agresive të mbledhjes së informacioneve, që do t’u lejojë analistëve të kenë kohë të mjaftueshme, hapësirë politike dhe burime për të bërë gjykime objektive dhe të plota”.

Pompeo është diplomuar në vitin 1986 në Akademinë Ushtarake në West Point. Ai ka shërbyer në ushtri në kohën kur Bashkimi Sovjetik ishte kundërshtari kryesor i Amerikës. Si anëtar i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, Pompeo ka udhëtuar në shumë vende dhe është takuar me profesionistë të shërbimeve sekrete.

Top Channel