Kabineti “Trump”, të përzgjedhurit me qëndrime kontradiktore me presidentin

12/01/2017 00:00

Ende pa nisur punën, në kabinetin e Donald Trumpit po shfaqen krisjet e para. Disa prej të përzgjedhurve të manjatit i janë kundërvënë një pjese të politikave të tij, të kthyera në subjektin e seancave dëgjimor në Senat.

Ish-shefi i “Exxon Mobil”, Rex Tillerson, gjenerali në pension John Kelly, si dhe senatori Jeff Sessions – të caktuar përkatësisht në krye të Departamentit të Shtetit, atij të Sigurisë Kombëtare dhe Departamentit të Drejtësisë, – kanë dalë kundër linjës së presidentit të zgjedhur.

Thyerja më e madhe erdhi të mërkurën nga Tillerson, i cili mbështeti një marrëveshje madhore tregtie të anatemuar prej Trumpit. Ai paralajmëroi po kështu për rreziqet që vijnë nga Rusia, u shfaq mbështetes për furnizimin e Ukrainës me armë, e tha se nuk pajtohet me deklaratat e Trumpit mbi armët bërthamore.

“Senator, nuk mendoj se ka njeri që të mbështesë shtimin e armëve bërthamore në këtë planet”, tha Rex Tillerson.

“Donald Trump thotë se nuk do të ishte një gjë e keqe. Ju jeni dakord me të?”, pyeti Markey.

“Nuk jam dakord”, tha Tillerson.

John Kelly, njeriu të cilit i është besuar Siguria Kombëtare, kundërshton absolutisht simulimin e mbytjes dhe çdo lloj torture tjetër, në një kohë kur gjatë fushatës, miliarderi premtoi kthimin e saj dhe metodave të tjera edhe më të këqija në luftën kunder terrorizmit.

Atë që njihet si “Waterboarding” e refuzon dhe Sessions, i cili nuk pajtohet gjithashtu me propozimin e presidentit për t’iu ndaluar myslimanëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Republikani, ndërkohë, është kritikuar ashpër nga shefi i Zyrës qeveritare të Etikës, Walter Shaub, i cili thotë se plani i Trumpit për t’i dorëzuar djemve të tij perandorinë e vet të biznesit, përpara se të bëjë betimin më 20 janar, nuk përputhet me standardet e presidentëve të 40 viteve të fundit.

Top Channel