Agjencia e Etikës kritikon Trumpin. Biznesin kërkon t’ua lërë djemve

12/01/2017 00:00

Drejtori i Agjencisë së Etikës në qeverinë federale, Walter Shaub ka kritikuar planin e presidentit të zgjedhur Donald Trump për të mbajtur perandorinë e tij ekonomike, duke ia besuar menaxhimin djemve, në vend që të shesë asetet e tij.

Shaub, i emëruar nga Barack Obama në vitin 2013, ka nënvizuar se kjo zgjidhje e ekspozon ndaj një serie të mundshme konfliktesh interesi dhe shkel një praktikë shumëvjeçare të ndjekur nga presidentët e të dyja partive.

“Trump është president i shantazhueshëm dhe i ekspozuar ndaj konflikteve të interesit”, sipas mendimit të shumë analistëve dhe vëzhguesve. Problemi është që Donald Trump do të jetë një president jo vetëm i shantazhueshëm nga Rusia, por edhe i ekspozuar ndaj konflikteve të interesit, të përshkallëzuara këto nga emërimi i dhëndrit Jared Kushner si këshilltar i lartë, duke sfiduar ligjin kundër nepotizmit.

Varianti i propozuar për zgjidhjen e çështjes nuk është as një organizëm i pavarur menaxhues dhe as shitja e aseteve, siç rekomandonin ekspertët. Një nga avokatët e tij, Sheri Dillon ka shpjeguar se manjati do të heqë dorë jo nga pronësia, por nga menaxhimi i aseteve të tij, duke ia kaluar atë dy djemve Donald Junior dhe Eric, si dhe nga një bashkëpunëtor i hershëm.

Ivanka, ndërkohë, do të mbetet jashtë, por edhe ajo do të ndahet në njëfarë mënyrë nga sipërmarrjet e veta, për të mos krijuar probleme për të shoqin Jared. “Nuk do të flas me ta”, ka siguruar Trump, sikur të mjaftonte fjala e tij si garanci dhe duke injoruar faktin, që çdo veprim i tij do të ketë pasoja të mundshme të drejtpërdrejta ose indirekte mbi biznesin e familjes.

Për shembull, në mbikëqyrjen e rregullave mbi bankat dhe “Wall Street”-in, ku borxhet e tij janë të shpërndara në duart e të paktën 150 institucioneve financiare, ose duke negociuar me udhëheqës të vendeve të huaja, ku kompania e tij zotëron hotele, kampe golfi apo asete të tjera.

Për të evituar konfliktin e interesit jashtë Shteteve të Bashkuara, presidenti i zgjedhur mendon se është i mjaftueshëm lajmërimi se organizata “Trump” nuk do të nënshkruajë marrëveshje të reja me partnerë të huaj, siç ka bërë kohët e fundit, duke hequr dorë edhe nga një ofertë prej dy miliardë dollarë e “Damac Properties” nga Dubai.

Edhe pse pretendon se në rastin e tij nuk është i aplikueshëm ndalimi kushtetues për drejtues të qeverisë federale, që të marrin pagesa apo dhurata nga qeveri të huaja, ai ka vendosur që të kalojë në thesar fitimet, por jo të ardhurat e klientëve të huaj të hoteleve të tij.

Kompania e tij do të vazhdojë të punojë në SHBA, duke ia nënshtruar çdo operacion të ri një këshilltari etik, i cili në fakt do të zgjidhet nga presidenti, ndërkohë që parametrat e tij të gjykimit nuk janë përcaktuar ende. Si të mos mjaftonte, Trump ka përsëritur se nuk do të bëjë publike deklaratën e tij të të ardhurave, duke u bërë i pari president, gjendja financiare e të cilit nuk njihet.

Edhe pse presidentët nuk janë subjekt i të njëjtave rregulla të konfliktit të interesit, si funksionarë të tjerë qeveritarë, ish-presidentët e tjerë i kanë vendosur investimet e tyre në duart e një bordi të pavarur për të parandaluar çdo çështje të mundshme korrupsioni.

Ndërkohë, Zyra e Etikës qeveritare nuk është një organ vendimmarrës, por thjesht këshillues, që ka si qëllim të identifikojë rastet e përfshirjes së anëtarëve të qeverisë në konflikte interesi.

Top Channel