Investimet në shëndetësi, hapet në QSUT shërbimi Neurovaskular

12/01/2017 00:00

Në QSUT është hapur njësia e re e shërbimit Neurovaskular, njësi që është inspektuar nga Kryeministri Rama dhe ministri Beqaj.

Mjekja neurologe, Mira Rakacolli shpjegon se me procedurën që mund të kryhet tani, pacienti rehabilitohet brenda një kohe të shkurtër.

“Është një shërbim i ri për të parën herë që hapet në qendrën spitalore universitare. Në qoftë se një i sëmurë paraqitet në orët e para në një paralizë që ka ardhur si rezultat i bllokimit të gjakut, në sajë të një medikamenti që vetëm tani u bë e mundur të blihet, – sepse ky është një medikament që kushtonte shtrenjtë, -brenda një ore atij i zhduket paraliza. Një pacient që vjen në gjendje kome dhe që nëse s’do ta bënte këtë, – edhe sikur të shpëtonte jetën, do mbetej i paralizuar, – për një orë çohet”, thotë mjekja Mira Rakacolli.

Saimir Rama kishte mbërritur në gjendje kome dhe vetëm 24 orë më pas fal këtij shërbimi, gjendja e tij është shumë herë më e mirë. Por mbiemri i tij, nuk i shpëtoi dhe batutave të Kryeministrit.

Kryeministri Rama: Mbiemri Rama është rastësi?

Pacienti: Rastësi, rastësi.

Kryeministri Rama: Më thuaj pak, i ke sharë shumë përpara?

Pacienti: Më përpara sa të duash. I falënderoj shumë se dhe unë isha në gjendje kome, shumë keq.

Kryeministri Rama: Tani jemi në një fazë tjetër dhe realisht që të gjithë ata që marrin shërbim se kanë halle në QSUT, por edhe në spitalet e tjera pavarësisht se në spitalet e tjera kemi ende shumë probleme, janë të kënaqur. Ata që nuk kanë qenë në spital dhe nuk e dinë se çfarë ka ndodhur vazhdojnë shajnë e shajnë se s’kanë faj se kanë patur situata të ndërlikuara në të kaluarën.

Ky shërbim ka në përbërjen e tij një personel të specializuar prej 8 mjekësh neurologë dhe neuroreanimatorë dhe 31 infermierë të specializuar.

Ai ka një kapacitet prej 29 shtretërish dhe gjatë vitit 2016 ka trajtuar 1180 pacientë me probleme neurologjike akute.

Top Channel