Banorët e fshatrave të Dibrës, në vështirësi prej akullit e borës

12/01/2017 00:00

Jeta në fshatrat e thellë malorë është e vështirë. Zona në kufi me Maqedoninë është nga më të varfërat në Shqipëri dhe dimri i fortë i shtohet halleve ekonomike.

Shtëpia e familijes Bala është pasqyrë e kushteve si jetojnë këta banorë. “E përballojmë me vuajtje situatën. Ushqime kemi kur na jep ndonjë send dikush”, thotë një grua nga kjo familje.

Edhe në familjen e Muhedin Halilit kushtet janë të mjerueshme, dy prinder të papunë që duhet të rrisin 4 fëmijë, njëri prej të cilëve ka nevojë për ndërhyrje mjekësore. “S’kemi as pension, as kurrëgjë”, thotë kryetari i familjes.

Energjia ka munguar në dy ditët e para kur nisën stuhitë e borës, por të paktën ngrohja bëhet vetëm me dru. “Shyqyr Zotit dru kemi. Malin e kemi afër”, thotë një banor.

“Këtë vit e kanë ngritur taksën në 4.500 lekë për metër kub”, ankohet një tjetër.

Ndërkohë, rrugët kanë qenë të kalueshme kësaj here dhe lidhja me qytetet nuk është ndërprerë por si Peshkopia ashtu dhe Bulqiza janë së paku 1 orë e gjysmë larg.

Rihapja e pikës kufitare me Maqedoninë do të ishte një ndihmë e madhe për urgjencat mjekësore. Ata që mendojnë më pak për hallet janë si gjithmonë fëmijët, të cilët borën dhe ngricat i kthejnë në lojra.

Top Channel