Lufta online e Hamasit, mashtrim ushtarëve izraelitë me flirtim në internet

12/01/2017 00:00

Militantët e Hamasit i kanë sofistikuar mënyrat e përgjimit të ushtarëve izraelite.  Ashtu si ISIS-i, edhe ata kanë përdorur internetin për të tërhequr vëmendjen e krahut tjetër nëpërmjet mashtrimit.

Ushtria e shtetit hebre zbuloi një skemë të tillë ku militantët spiunonin kundërshtarin duke vjedhur të dhënat e telefonave të tyre celulare pasi hiqeshin si femra në mediat sociale.

Pjesëtarët e grupit palestinez kërkonin dhe gjenin ushtarët që ishin online e pas kësaj, tentonin të lidhnin miqësi me ta duke përdor identitete të rreme.

Edhe pse skema në vetvete duket shumë naive, ajo ka funksionuar pasi dhjetëra ushtare izraelite janë bindur vërtet të instalonin në celularët e tyre një aplikacion, i cili u kontrollonte fshehurazi kamerën dhe mikrofonin e aparatit.

Pjesë dërrmuese e viktimave të kësaj loje kanë qenë ushtarë të thjeshtë. Palestinezët ishin të interesuar për informacione që kanë të bëjnë me manovra ushtarake, lëvizjen e trupave apo armatimet e dislokuara përreth Rripit të Gazës të kontrolluar nga Hamasi.

Një oficer izraelit sqaroi se fotot e përdora në skemën e mashtrimit i përkasin femrave të vërteta, fotot dhe detajet personale të të cilave janë vjedhur nga profilet e tyre në rrjetet sociale. Megjithatë i njëjti person këmbëngul se pavarësisht përpjekjeve të tyre militantët nuk kanë arritur të zbulojnë ndonjë sekret të madh.

Top Channel