Tirana zyrtare përshëndet lirimin e Haradinaj. Rama: Fund absurditetit

12/01/2017 00:00

“Mirukthefsh në Prishtinë i dashur Ramush. Mbyllet episodi absurd, por beteja për fshirjen e listës së urdhër-arresteve te vjetra vazhdon”, ka komentuar në Facebook kryeministri Rama lirimin me kusht të Ramush Haradinajt.

Ndërsa ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati është shprehur se, “Shqipëria e mirëpret vendimin e gjykatës franceze për lirimin e Ramush Haradinajt”.

“Serbia duhet të mos përdorë më urdhër-arreste përmes Interpolit për të goditur Kosovën”, ka thënë Bushati.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjykon se ky vendim është ende jo i plotë, por beson se drejtësia franceze do të japë verdiktin e saj përfundimtar, duke e çliruar  kryetarin e AAK-së nga të gjitha akuzat e vjetra që vijnë nga Serbia.

“Ramush Haradinaj duhet të kthehet sa më parë pranë familjes së tij në Kosovë e njerëzve të tij të dashur. AAK dhe simpatizantët e saj, të gjithë dashamirësit, mbështetësit dhe qytetarët e Kosovës, të cilët ngritën zërin kundër kësaj padrejtësie dhe e mbështetën pa kushte janë në pritje të kthimit të tij në vend, tek e ardhmja e të cilit ai beson aq shumë”, thotë Meta.

Top Channel