NBA, Cleveland pëson tjetër humbje

12/01/2017 00:00

Cleveland u thye sërish në kampionatin e NBA. Skuadra e Cavaliers u dorëzua përballë Portland në parketin e këtij të fundit me rezultatin 86-102, duke regjistruar disfatën e dytë radhazi dhe të 10 sezonale.

Le Bron James shënoi 20 pikë e rrëmbeu 11 topa në tabelë, por pa mundur të ndihmojë shumë kampionët në fuqi. Ai që dominoi në fushën e lojës ishte CJ McCollum autor i 27 pikëve, 15 nga të cilat nga distanca.

Minnesota ndali vrullin e Houston Rockets. Në Target Center të Minneapolis, skuadra e Timberwolves fitoi ndaj teksanëve 119-105 të cilët humbën edhe vendin e dytë në renditjen e Konferencës së Perëndimit. Andrew Wiggins ishte ai që spikati për skuadrën  e Minnesotës me 28 pikë të shënuara, ndërkohë që për Rockets, 33 pikët dhe 12 asist të James Harden nuk mjaftuan për të fituar përballjen.

Russell Westbrook nuk njeh kufij. Basketbollisti i Oklahoma City mori sërish përsipër të drejtojë këtë skuadër drejt suksesit që këtë radhë ishte ndaj Memphis Grizzlies 103-95. Westbrook e mbylli këtë ndeshje me statistika vërtet të mira me 24 pikë, 13 topa në tabelë dhe 12 asist, ndërsa Oklahoma shënoi fitoren e 24 të saj sezonale.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Philadelphia fitoi me New York 98-97, LA Clippers mposhti Orlandon 105-96, ndërsa Boston mundi në TD Garden, Washington Wizards 117-108.

Top Channel