Tiranë, kontroll mjekësor për të pastrehët

12/01/2017 00:00

Të pastrehët, të cilët përkohësisht janë strehuar në qëndrat sociale të ngritura nga Bashkia e Tiranës për shkak të motit të ftohtë dhe ngricave, i janë nënshtruar edhe një kontrolli shëndetësor.

Janë 193 qytetarë të strehuar në qëndrat sociale, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme edhe në ushqime e veshëmbathje.

“E çmoj shumë faktin që janë këtu dhe që po bëjmë disa vizita të rëndësishme, për t’u siguruar që ky nuk është vetëm një moment për të futur kokën në një strehë sa të kalojë i ftohti, por edhe një moment për t’u ushqyer mirë, për të kuptuar historitë njerëzore të njerëzve dhe për të menduar pak edhe për ditën pas, por ndoshta është edhe një moment ku për herë të parë shumë individë, të cilët janë në situatë rruge, bëjnë kontrollin e tyre të parë mjekësor”, ka deklaruar kryebashkiaku Erion Veliaj.

Veliaj ka kërkuar nga qytetarët që të tregohen të kujdesshëm, të paktën edhe në dy ditët e ardhshme, deri në përmirësimin e situatës dhe rritjes së temperaturave.

“Mbas këtyre dy ditëve fillon një përpjekje e re për t’u siguruar që kush ka nevojë për kontroll të avancuar mjekësor të vazhdojë të ndiqet, kush ka nevojë për asistencë sociale të ndihmohet, kush ka nevojë për punësim të asistohet dhe kush ka nevojë për shtëpi t’i bashkohemi në procesin e gjetjes së një banese afatgjatë për të zgjidhur çështjen e strehimit”, ka thënë Veliaj.

Sipas Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale në Bashkinë e Tiranës, në 7 qëndrat pritëse strehohen përkohësisht 193 vetë, të cilëve u janë ofruar të treja vaktet, si dhe shërbimet e tjera të nevojshme.

Top Channel