Lirohet me kusht Ramush Haradinaj

12/01/2017 00:00

Gjykata franceze ka liruar me kusht kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën gjyqësore të mbajtur këtë të enjte.

Në kuadër të vendimit të gjykatës, Haradinaj duhet të paraqitet dy herë në javë tek autoritetet dhe të qëndrojë në territorin francez.

Lirimi me kusht i ish-komandantit të UÇK-së vjen dy ditë pasi Ministria e Drejtësisë në Serbi i dorëzoi autoriteteve të Parisit kërkesën për ekstradimin e tij.

Serbia e kërkon Haradinajn nën dyshimin se ka kryer krime lufte në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, të cilat nuk i janë parashtruar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila e ka shpallur dy herë të pafajshëm ish-kryeministrin kosovar.

Sipas zyrtarëve serbë, bëhet fjalë për krime kundër popullatës civile në zonën e Dukagjinit. Ndërkohë, seanca për vendimin përfundimtar ndaj Haradinajt nuk është caktuar ende.

Ndalimi i tij nxiti reagimin e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, të cilat bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm, ndërsa të martën mbi këtë çështje u debatua për rreth 11 orë në Parlamentin e Kosovës, por rezoluta që kërkonte lirimin nuk u arrit të miratohej.

Kjo është hera e dytë që Haradinaj gjendet përballë telasheve të tilla për shkak të një mandat-arresti serb. Qershorin e 2015-s ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, ndërsa kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin, por atëherë u la i lirë shumë shpejt.

Autoritetet kosovare i kanë kërkuar disa herë Interpolit të mos i marrë parasysh fletë-arrestet e Serbisë për qytetarët e Kosovës, pasi incidente të tilla u kthyen në një fenomen të përsëritur për ish-drejtuesit e UÇK-së.

Top Channel