“Haradinaj”, Bushati: Arrestimi cëon marrëdhëniet Shqipëri-Serbi

12/01/2017 00:00

Arrestimi i Ramush Haradinaj mund të përkeqësojë edhe marrëdhëniet e Tiranës me Beogradin. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në një intervistë për një televizion maqedonas është shprehur se i është bërë e qartë Serbisë se marrëdhëniet varen nga ecuria e procesit të gjithëanshëm me Kosovën.

“Rinovimi apo nxjerrja nga sirtari i mandateve të arrestit nga ana e Serbisë, në kushtet kur Bashkimi Evropian nxit sa më shumë Serbinë dhe Kosovën për të ecur përpara në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve, në kushte kur ne si Shqipëri kemi nxitur vijimësisht Kosovën për të ecur përpara në këtë proces. Në kushte kur ne si Shqipëri ia kemi bërë të qartë Serbisë që marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë varen gjithashtu nga ecuria e procesit të gjithanshëm e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sepse nuk janë marrëdhënie që zhvillohen në boshllëk, në vakum, i gjithë ky akt, kam përshtypjen ndikon negativisht apo përpiqet të minojë edhe ato suksese, edhe ato hapa, të cilët janë hedhur me vështirësi gjatë gjashtë viteve të fundit”, është shprehur z. Bushati.

Duke u ndalur tek Maqedonia, ministri Bushati tha se Shqipëria nuk është përfshirë në çështjet e brendshme të një vendi tjetër, por ka zbatuar një detyrim kushtetues, që ka të bëjë me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, pavarësisht se ku ata jetojnë. Ai e quan dritëshkurtësi tendencën për të barazuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni thjesht me lehtësira, ndërsa kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Çdo tendencë për t’i barazuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni thjesht me krijimin e lehtësirave nëpërmjet ndërtimit të fabrikave apo zonave të lira ekonomike, në rastin më të mirë, do të ishte dritëshkurtësi dhe në rastin më të keq do të barazonte shqiptarët me një komunitet punëtorësh, të cilët mund të jenë drejt kërkimit të punës. Sa më shpejt të krijohen kushtet për të njohur këtë fakt publikisht, do të krijohen mundësitë për më tepër ura komunikimi ndërmjet dy komuniteteve kryesore shtetformuese, duke mundësuar një përfaqësim më të mirë në institucionet kryesore, zbatim politikash më harmonike ekonomike dhe sociale, për më shumë stabilitet demokratik në Maqedoni”, ka thënë Bushati.

Top Channel