Qipro, shpresë për marrëveshje në Gjenevë

12/01/2017 00:00

Bisedimet historike mbi Qipron në Gjenevë kanë qenë të ngadalta dhe të vështira. Të dyja palët kanë krijuar harta me propozime për kufijtë e rinj, që i janë dorëzuar Kombeve të Bashkuara. Diskutimet për të dalë me një hartë të vetme kompromisi, duket se do të shtyhen për data të mëvonshme.

Por, ndërkohë, bisedimet do të lëvizin në një drejtim ndërkombëtar, pasi ministrave të Jashtëm të të dyja anëve të Qipros do u bashkohen edhe të tjerë zyrtarë të lartë, mes të cilëve edhe kryeministri turk Binali Yildirim. Në bisedimet në Gjenevë janë përfshirë edhe Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson dhe homologët e tij grekë e turk.

Komunitetet greke dhe turke janë të ndara që nga viti 1974. Në atë vit, trupat turke pushtuan pas një grushti shteti të qipriotëve grekë, të mbështetur nga gjeneralët që sundonin Greqinë në atë kohë. Sidoqoftë, prania e kryeministrit turk në bisedime nuk tregon se një marrëveshje është e mundur. Që marrëveshja të arrihet ajo duhet të marrë mbështetjen e të dyja komuniteteve qipriote në referendume të ndara.

Sidoqoftë, për Kombet e Bashkuara që mbikqyrin negociatat, ky është shansi më i mirë për të ribashkuar ishullin e ndarë prej katër dekadash. Qëllimi është që të dyja palët të ndajnë pushtetin në një federatë dyshtetëshe.

Top Channel