Familja e pastrehë, fshati bashkohet dhe i ndërton shtëpinë

12/01/2017 00:00

Lulzim Dosku nga fshati Dorëz i Librazhdit, së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e mitur jetojnë në kushte ekstreme varfërie.

Banesa e tyre ka nisur të shembet disa vite më parë, ndërkohë që dëbora dhe ngricat e kanë bërë të pamundur jetesën në të.

“Shtëpia ka 2-3 vjet që është shembur dhe kur bie shi, uji futet brenda. Këto ditë jemi ngrohur me dru e ç’kemi mundur”, thotë gruaja e shtëpisë.

Deputeti Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë së Librazhdit kanë shkuar në Dorëz për të shtrehuar përkohësisht këtë familje në një shtëpi me qera, ndërkohë që janë angazhuar të ndërtojnë shtëpinë e shkatërruar.

“Shumë shpejt do të fillojmë ndërtimin e një shtëpie. Këtu nuk mund të bëhet fjalë për rikonstruksion, sepse në këto kushte është e paimagjinueshme që të jetohet”, tha Balla.

I gjithë fshati Dorëz është angazhuar të punojë vullnetarisht për ndërtimin e banesës së kësaj familje ndërkohë që materialet ndërtuese do të sigurohen nga kompani private.

Top Channel