Meksika kundër Trump: Nuk do të paguajmë për murin

12/01/2017 00:00

Meksika synon të shkojë drejt një marrëdhënieje të hapur me SHBA-në kur të ulet në bisedime, por nuk do të paguajë asnjë cent për ndërtimin e murit të trumpetuar nga Donald Trump.

Presidenti meksikan, Enrike Penja Njeto ka premtuar se do të jetë i hapur për administratën e ardhshme amerikane, por donte një marrëveshje nga e cila do të përfitonin të dyja palët. “Është e dukshme se do të ketë disa dallime me qeverinë e ardhshme amerikane, si për shembull çështja e murit, për të cilin sigurisht Meksika nuk do të paguajë”, tha Penja Njeto në një takim me ambasadorët meksikanë.

“Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen për një përgjegjësi të përbashkët për të ndaluar trafikun e armëve nga SHBA në Meksikë si edhe për të ndaluar paratë me origjinë të paligjshme që organizatat kriminale në vendin tonë marrin”, shtoi ai.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka kërcënuar se do të zgjasë një mur ekzistues në kufi për të mbajtur larg emigrantët dhe do ta bëjë Meksikën të rimbursojë SHBA-në për ndërtimin e tij, gjë që ka shqetësuar shumëkënd në Meksikë.

“Si shtet, nuk mund të paguash për diçka që nuk po e bën ti dhe nuk është në të mirën tënde”, thonë vetë meksikanët. Trump po ashtu ka kërcënuar se do të anulojë një marrëveshje tregtie që mbështet modelin ekonomik të Meksikës, nëse nuk do të rinegociohen kushtet, duke dëmtuar monedhën peso dhe duke nxitur paqartësi mbi investimet e huaja.

Trump do të bëjë betimin më 20 janar dhe javën e shkuar Meksika emëroi ish-ministrin e Financave, Luis Videgaray si ministër të ri të jashtëm, duke i dhënë një rol thelbësor në diskutimet me qeverinë e re amerikane. Sidoqoftë, një datë për mbajtjen e bisedimeve zyrtare nuk është përcaktuar ende.

Top Channel