Trump: S’ka material kompromentues. Lajmi, nga njerëz të sëmurë

11/01/2017 00:00

Donald Trump, në konferencën e parë për shtyp si president i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, i ka quajtur “lajme të rreme” zërat se Rusia ka material kompromentues ndaj tij.

Duke iu përgjigjur mediave që i publikuan këto lajme, Trump ka thënë se ato janë të sajuara nga “njerëz të sëmurë”.

“Këto nuk duhet të ishin shkruar dhe nuk duhet të ishin publikuar kurrë. Janë të gjitha lajme të rreme dhe muhabete telefoni, gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë. Njerëz të sëmurë i morën dhe i sajuan. Është një turp i vërtetë”, ka thënë Trump.

Ai e ka quajtur portalin “Buzzfeed” një “mullar mbeturinash”, ndërsa rrjetin CNN e ka akuzuar se “po del nga rruga e duhur”. Megjithatë, në këtë konferencë shtypi Trump ka pranuar se Rusia ka kryer sulme kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara.

Insistimit të gazetarëve për ekzistencën e një videoje me një prostitutë në një hotel të Moskës, Trump i është përgjigjur me mohim.

“Si person i profilit të lartë që jam, kur largohem nga vendi jam shumë i kujdesshëm. Jam i rrethuar nga truproja dhe njerëz, të cilëve u them: ‘kini shumë kujdes se në hotelet tuaja mund të keni kamera të fshehura dhe nesër mund ta shihni veten në televizor’. Dhe nuk i referohem këtu vetëm Rusisë”, ka thënë Trump, i cili ka mohuar edhe lidhjet e përfolura me qeverinë ruse.

“Unë nuk kam marrëveshje me Rusinë dhe as biznese. Mund të bëjmë marrëveshje në të ardhmen, por aktualisht s’kam asnjë biznes dhe asnjë kontratë”, ka thënë Trump.

Ai ka shtuar më tej se prioritet i tij si president do të jetë Amerika dhe jo bizneset, të cilat do t’i marrin në menaxhim djemtë e tij.

“Unë jam në gjendje të menaxhoj bizneset e mia dhe qeverisjen në të njëjtën kohë, por nuk dua ta bëj. Bizneset e mia do të menaxhohen nga djemtë e mi, Don dhe Erik, të cilët do të jenë në lartësinë e duhur dhe nuk do të diskutojnë asgjë me mua”, ka shtuar Trump.

Ndër të tjera, presidenti ka konfirmuar anulimin e reformës shëndetësore të hartuar nga administrata në ikje, e njohur si Obamacare, si dhe ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.

Top Channel