Kampionati nuk ndërpritet

11/01/2017 00:00

Nuk ka marrëveshje për shtyrjen e fillimit të fazës së tretë të Superligës. Skuadra e Teutës së bashku me atë të Laçit vazhdojnë t’i qëndrojnë vendimit paraprak që Federata Shqiptare e Futbollit të respektojë kalendarin.

Dy ditë më parë pranë FSHF-s ka mbërritur një kërkesë e parë nga skuadra e Skëndërbeut, e cila ka kërkuar shtyrjen e kampionatit për shkak të temperaturave shumë të ulta, më pas kësaj kërkese i janë bashkuar edhe 7 skuadra të tjera të Superligës, ndërkohë që mbeten jashtë, pavarësisht tentativës për t’u bindur Teuta dhe Laçi.

Arsyetimin e kësaj qëndrese për skuadrën durrsake e jep vetë trajneri Gugash Magani.

“Normalisht nuk do të thotë që disa ekipe të diskutojnë shtyrjen e kampionatit dhe ne të themi po. Çdo ekip ka planet e veta. Mund të shtyhet një ndeshje e kampionatit për shkak të motit, por nuk mund të shtyhet i gjithë kampionati dhe nuk më duket fare normale që disa ekipe e kanë kërkuar këtë”, thotë trajneri Magani.

Si për ironi të fatit ditën e mërkurë kur temperaturat mbeten ende nën minus, luhet dhe ndeshja miqësore e skuadrës kombëtare femra në “Elbasan Arena”, përball ekipit U19 të Italisë.

Gjithsesi për këtë ngërç FSHF është e prirur për një konsensus të plotë dhe nuk ka ndërmend as të marrë vendim me kërkesën e mbi 2/3 të skuadrave dhe as me kompetencën e Komitetit Ekzekutiv, që ja lejon në bazë të rregullores, të vendosë pa konsensusin që është pika kyçe dhe e vetmja zgjidhje që do Federata, përndryshe faza e tretë e Superligës do të fillojë më 21 janar, siç e parashikon kalendari.

Top Channel