Sjelljet destruktive të Serbisë, Tahiri kërkon sërish ndihmë nga BE

11/01/2017 00:00

Pas sulmit me bombë, mbrëmjen e së martës, ndaj objektit qeveritar në Mitrovicën e Veriut, të përuruar më 28 dhjetor nga ana e ministres kosovare për Dialogun, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit, ministrja Edita Tahiri i është drejtuar Bashkimit Europian me një letër, për të kërkuar nga BE-ja të ndërhyjë për ndaljen e sjelljeve destruktive të Serbisë ndaj Kosovës.

Në letrën e ministres Tahiri thuhet se, mbrëmjen e së martës pati një sulm me bombë ndaj ndërtesës së qeverisë në veriun e Mitrovicës, aty ku ish-anëtarë të “Mbrojtjes Civile” janë punësuar në përputhje me marrëveshjen e Brukselit për shpërbërjen e këtij organizmi ilegal, të nënshkruar nga të gjitha palët më 26 mars të vitit 2015.

“Unë ju kam informuar rregullisht për një seri zhvillimesh negative në javët e fundit, të cilat kanë për qëllim provokimin e destabilizimit të situatës në Kosovë, e më gjerë në rajon”, shkruan Tahiri për BE-në.

Sipas vlerësimit të saj, duket se Serbia është duke u tërhequr nga dialogu dhe po i kthehet mendësisë së vjetër, duke shkuar marrëveshjeve që i ka nënshkruar vet, e duke përdorur bomba, mure dhe arrestime arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës.

“Kërkoj nga BE-ja që të shikojë këtë gjendje me seriozitet dhe të ndërhyjë te pala serbe, që të qëndrojë në linjë me frymën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përndryshe pasojat do të jenë të paparashikueshme”, shprehet Tahiri.

Tahiri shpreh besimin se BE-ja është duke punuar për përmirësimin e situatës, duke pasur parasysh përkushtimin e unionit jo vetëm për t’i stabilizuar rezultatet e dialogut, por edhe për t’i përparuar ato për hir të paqes dhe marrëdhënieve ndërfqinjësorë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Pas dërgimit të letrës te BE-ja, pas sulmit të mbrëmshëm, ministrja Tahiri deklaroi se përgjigjja e BE-së ka qenë e menjëhershme, ku është theksuar se unioni është i përqëndruar seriozisht në këtë çështje dhe se zhvillimet negative duhet të ndalen.

Top Channel