“xXx: Return of Xander Cage”

11/01/2017 00:00

Vin Diesel i është rikthyer serisë së famshme “xXx” me premierën europiane të “xXx: Kthimi i Xander Cage” në Londër.

Aktori, i njohur sidomos për filmat “Fast & Furious” u shfaq fillimisht tek “xXx” në 2002-shin, në rolin e agjentit qeveritar që lufton me krimin Xander Cage.

Ai mungoi në vazhdimin e filmit, “xXx 2: The Next Level”, ku protagonistë ishin Ice Cube dhe Willem Dafoe. Por tani është sërish aktori kryesor në filmin e tretë, ku Cage përpiqet të shtjerë në dorë një armë të tmerrshme, e në pamje të parë të pandalshme të quajtur “kutia e Pandorës”.

Përpos aktoreve joshëse Ruby Rose, Nina Dobrev dhe Deepika Padukone, kasti i “Kthimit të Xander Cage” përfshin edhe yje të arteve marciale, si Donnie Yen, Tony Jaa dhe Michael Bisping.

I pyetur nëse prania e ish-atletëve e ka vendosur nën presionin e një regjimi të fortë stërvitor, Diesel tha për “Reuters” se sfida nuk ishte me të tjerët, por ajo buron nga vet personazhi i interpretuar prej tij.

“Të luash Xanderin duhet të jesh njeri që e kërkon emocionin ashtu si ai, – thotë aktori. – Duhet ta shijosh jetën ndryshe nga sa ndodh me personazhe të tjerë që kam intepretuar. Pjesë e kësaj është edhe aspekti fizik, i cili më motivon”.

“xXx: Kthimi i Xander Cage” do të nisë të shfaqet në kinematë botërore nga data 18 janar.

Top Channel