Energjia në Tiranë, investohen 6 milionë euro

11/01/2017 00:00

Për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji për rreth 320 mijë konsumatorë, OSHEE po investon 6 milionë euro në dyfishimin e kapacitetit të nënstacionit elektrik të Selitës.

Por për të përballuar siç duhet nevojat e kryeqytetit, kreu i OSHEE thotë se operatori po planifikon të nisë investime paralelisht edhe në nënstacionet e Kombinatit, Kasharit, Valiasit, si dhe ndërtimin e një nënstacioni të ri nëntokësor në qendër, në zonën pas Muzeut.

“Brenda 2017-s është e domosdoshme të nisë nënstacioni i qendrës. Duke parë planin e ri urbanistik të Tiranës është e domosdoshme që brenda vitit 2020 ky nënstacion të jetë në funksion sepse është dyfishi i kapacitetit dhe sistemohet qendra e kryeqytetit për 35 vitet e ardhshme”, deklaroi drejtori Ardian Çela.

Për ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri, këto ditë të shtimit të konsumit të energjisë dhe motit të keq ishin një test për investimet dhe punën e kompanisë.

“Ndërprerjet shumë të pakta të energjisë treguan se sistemi ka qenë në gatishmëri të plotë dhe se investimet tona kanë dhënë rezultate. Do të kemi probleme me motin edhe në ditët në vijim, por OSHEE do të jetë në gatishmëri”, theksoi Gjiknuri.

Për vitet 2015 e 2016, OSHEE ka investuar 20 milionë euro vetëm për kryeqytetin, ndërsa në proces janë 12 milionë euro të tjerë. 

Top Channel