NBA, thyhen Cleveland e San Antonio

11/01/2017 00:00

Cleveland Cavaliers u gjunjëzua nga Utah Jazz, pasi u mposht me rezultatin 92-100, duke regjistruar disfatën e 9 sezonale. LeBron James shënoi 29 pikë në këtë ndeshje, por kjo nuk u mjaftoi kampionëve në fuqi të NBA për të evituar disfatën. Në krahun tjetër, Utah iu gëzua 28 pikëve të Hayward, duke regjistruar fitoren e 24 sezonale.

San Antonio Spurs u befasua nga Milwaukee Bucks në “AT&T Center”, teksa u mposht me rezultatin 107-109, duke regjistruar humbjen e pestë sezonale në parketin e tij. Leonard shënoi 30 pikë për skuadrën teksane, por që nuk e ndihmuan këtë të fundit që të mposhtë kundërshtarët. Vendimtar në fitoren e Milwaukee u bë Brogdon, që shënoi pikët e fitores për skuadrën e tij 7 sekonda nga fundi i takimit.

Golden State Warriors festoi në ndeshjen e radhës në NBA. Edhe pse pa Klay Thompson në parket, skuadra e Warriors arriti të mposhtë Miami Heat në “Oracle Arena” me rezultatin 107-95. Kevin Durant ishte shënuesi më i mirë për Golden State me 28 pikë, ndërkohë që u shfaqën në parket edhe Stephen Curry me 24 pikë e Draymond Green me 13.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Houston Rockets fitoi ndaj Charlotte Hornets 121-114, ku ai që spikati ishte James Harden me 40 pikë, 15 topa në tabelë dhe 10 assist. Toronto Raptors mundi Boston Celtics 114-106, ndërsa Chicago Bulls humbi ndaj Washington Wizards me rezultatin 99-101.

Top Channel