SHBA, Trump mohon informacionet shantazhuese të Rusisë ndaj tij

11/01/2017 00:00

Donald Trump iu rikthye përkufizimit të tij të preferuar këto ditë, kur njoftimeve në media se Rusia zotëronte informacione kompromentuese të një natyre personale dhe financiare ndaj tij, iu përgjigj me një postim në “Twitter”. “Këto janë lajme të rreme dhe një gjueti politike shtrigash!”, tha ai.

Duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, një pjesë e shtypit vendas përmend një dokument të klasifikuar dyfaqësh me informacionet në fjalë, të cilat thuhet t’i jenë dorëzuar presidentit të zgjedhur javën që shkoi, gjatë takimit me zyrtarët amerikanë të Shërbimeve Sekrete, ku edhe u informua mbi dyshimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

I njëjti informacion i ishte përcjellë Presidentit Barack Obama një ditë përpara kësaj, të enjten e kaluar. Njoftimi u dha për herë të parë të martën nga CNN, por pa hollësi se për çfarë informacioni kompromentues bëhej fjalë.

Njoftimi për ekzistencën e fakteve kompromentuese ndaj Trumpit është hartuar në bazë të raporteve të një ish-agjenti të zbulimit britanik, që ka kontakte të shumta në Rusi, puna e të cilit në të kaluarën në Shtetet e Bashkuara është konsideruar e besueshme.

Dokumenti duket se tregon që Rusia ka pasur informacione dëmtuese për të dyja partitë politike, por publikoi vetëm ato që cënonin Hillary Clintonin dhe demokratët. Nga sa pretendohet në media, materialet kompromentuese të rusëve për Trumpin janë filmime të tij duke parë prostituta në akte intime degraduese, e duke urinuar në shtratin e një hoteli të Moskës, ku e dinte se kishte fjetur Barack dhe Michelle Obama, të cilët – siç thuhet në këto shkrime, – manjati i urren.

Agjencia ruse e Inteligjencës, “FSB”, sipas raportit e kishte mbushur asokohe dhomën me mikrofonë dhe kamera të fshehta.

Top Channel