Kosovë, rezoluta për Haradinajn s’gjen konsensus për ndërprerjen e dialogut

10/01/2017 00:00

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj është shprehur se nuk është arritur konsensus për një rezolutë të përbashkët në lidhje me ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lekaj, i cili lexoi rezolutën e paraqitur nga AAK-ja, të mbështetur nga Vetëvendosje dhe Nisma, theksoi gjithashtu se konsensusi nuk u arrit për dy pika.

Deputeti i pavarur Ilir Deda, propozues i rezolutës së dytë, ka thënë se bashkë me Vjosa Osmanin kanë vendosur që ta ndihmojnë diskutimin e partive politike.

“Për fat të keq nuk pati gatishmëri për një qëndrim të përbashkët. Pas konsultimit me deputeten Osmani e tërheqim rezolutën e propozuar”, tha Deda.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së u shprehën se nuk janë pajtuar për dy pikat e fundit, ndërsa i kanë dhënë mbështetjeje tri pikave të para.

Por çfarë kërkonte rezoluta e prezantuar nga AAK për miratim në Kuvendin e Kosovës?

1. Lirimi pa kushte i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të ndodhë sa më shpejt dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore.

2. Qeveria e Kosovës të kërkojë me ngulm përfshirjen e drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian, përmes përfaqësueses së lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, që të përshpejtohet lirimi nga shteti francez i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

3. Qeveria e Kosovës detyrohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që të informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë, e konform kësaj të kërkojë lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

4. Të ndërpriten bisedimet me Serbinë deri në anulimin e të gjitha fletarresteve, të lëshuara nga Serbia kundër ish-udhëheqësve dhe ushtarëve të UÇK-së në Interpol.

5. Kërkohet dorëheqja ose shkarkimi i të gjithë përgjegjësve kryesorë të negociatave me Serbinë, për shkak se janë të vetmit që kanë mundur të jenë të informuar se cilët persona kanë urdhërarreste nga Serbia në Interpol, meqë Kosova nuk është anëtare e Interpolit, nga ku do të mund të merreshin informacione zyrtare për emrat që kanë fletarreste të tilla.

Top Channel