Rusi, tjetër metodë luftimi për duhanpirjen

10/01/2017 00:00

Ministria ruse e Shëndetësisë ka marrë në konsideratë një masë disi më ekstreme, atë të ndalimit të përhershëm të shitjes së paketave të duhanit për njerëzit e lindur nga viti 2014 e më vonë. Kjo është pjesë e një strategjie të re të ashpër antiduhan, që politikanët rusë po përpiqen ta bëjnë realitet.

Ndalimi i shitjes së duhanit për brezat e rinj do të vazhdojë edhe pasi ata të arrijnë moshën e pjekurisë. Kjo gjë është ende në fazat e të konsideruarit, por nëse realizohet, kjo do të thoshte se duhanpirja do të bëhej një ditë e paligjshme për të gjithë rusët.

Faqja ruse e lajmeve “Izvestia” thotë se ka shtënë në duar një dokument mbi këtë strategji, të quajtur “koncepti i politikës shtetërore për të luftuar konsumin e duhanit në vitet 2017-2022 e më tej”. Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë së Federatës Ruse ka konfirmuar se ky dokument po përhapet gjerësisht mes qeverisë.

“Ky objektiv është absolutisht korrekt nga ana ideologjike”, tha Nikolai Gerasimenko, anëtar i Komitetit të Shëndetësisë, sipas asaj që shkruan “The Times”. Aktivistë antiduhan kanë bërë thirrje për masa të ngjashme edhe në pjesë të tjera të botës gjatë së kaluarës, por kurrë nuk kanë siguruar mbështetje nga qeveritë.

Në Rusi, duhanpirja edhe aktualisht është e paligjshme në vendet e punës, në hyrjet e blloqeve të banimit, në autobusë apo trenat e pasagjerëve, si dhe në një distancë prej 15 metrash nga stacionet e autobusëve apo aeroporteve.

Rusia ka një prej normave më të larta të duhanpirjes në botë, me rreth 40 për qind të popullsisë duhanpirëse. Në disa dyqane, paketat e cigareve mund të blihen për më pak se një dollar. Ndërkohë, tregu i duhanit në Rusi përllogaritet të kapë vlerat e rreth 22 miliardë dollarëve.

Top Channel