Buenos Aires, vandalizohet statuja e Lionel Messit

10/01/2017 00:00

Një statujë e yllit argjentinas të futbollit, Lionel Messi, është vandalizuar në kryeqytetin Buenos Aires.

Statuja e bronztë, e cila ishte përuruar qershorin e kaluar, ishte thyer në mes, ndërsa busti, krahët dhe koka i ishin këputur.

Motivi i këtij akti vandal nuk është bërë ende i ditur, por zyrtarë të Buenos Airesit thanë se kanë nisur menjëherë nga puna për riparimin e statujës.

Ajo ishte përuruar në momentin kur sulmuesi njoftoi tërheqjen nga ekipi kombëtar, një vendim që më pas e ktheu mbrapsht.

Statuja qëndronte në sheshin “Paseo de la Gloria”, ku mund të shihen edhe statujat e yjeve të tjerë të sporteve në Argjentinë, përfshi këtu tenisten Gabriela Sabatini dhe basketbollistin Manuel Ginobili.

Megjithatë, dëmtimi i statujave në këtë zonë nuk është risi, pasi edhe në të kaluarën ato janë vandalizuar nga ekstremistë apo hajdutë.

“Statuja e Lionel Messit ra viktimë e një akti vandal, që e la skulpturën e futbollistit pa gjysmën e sipërme të saj”, tha qeveria lokale e Buenos Airesit në një deklaratë. “Ne po punojmë që tani për riparimin e saj”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel