Afganistan, të paktën 30 viktima nga shpërthimi i dyfishtë pranë Parlamentit

10/01/2017 00:00

Të paktën 30 persona janë vrarë dhe 80 të tjerë janë plagosur si pasojë e dy shpërthimeve me bombë të ndodhura shumë pranë Parlamentit afgan në Kabul.

Zyrtarët thonë se sulmi ndodhi gjatë orëve të pikut të lëvizjes, teksa stafi parlamentar ishte duke u larguar nga institucioni ligjvënës. Vetëm pak minuta pas shpërthimit, një zëdhënës i talebanëve tha se grupi e ndërmori këtë sulm me synimin për të vrarë anëtarët e agjencisë afgane të shërbimeve sekrete.

Në fakt, shumica e viktimave thuhet të jenë civilë dhe disa anëtarë të stafit të Parlamentit. Sipas raportimeve të para, në ngjarje është përfshirë një kamikaz i cili lëvizte në këmbë dhe hodhi veten në erë, e më pas një autobombë ka shpërthyer aty pranë.

Burimet afgane thanë se kreu rajonal i Direktoratit Kombëtar të Sigurisë, agjencisë kryesore afgane të shërbimeve sekrete, ishte mes të vdekurve. Një deputet nga provinca perëndimore e Heratit, Rahima Jami, thuhet gjithashtu të jetë plagosur.

Ndërkohë, zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë, Waheed Majroh tha për BBC-në se të plagosurit u dërguan nëpër urgjenca dhe spitalin Istiqlal. Raportimet paraprake sugjerojnë se sulmi është goditja më gjakderdhëse e ndodhur në Kabul gjatë muajve të fundit.

Top Channel