Norvegji, Breivik sërish në gjyq me përshëndetje naziste

10/01/2017 00:00

Me përshëndetjen e zakonshme naziste, Anders Behring Breivik është paraqitur në sallën e gjyqit, ku ka nisur diskutimi i apelit të qeverisë, kundër vendimit se terroristit norvegjez i janë shkelur të drejtat e njeriut.

37-vjeçari, i cili në vitin 2011 vrau 77 persona, paditi qeverinë vitin e kaluar duke thënë se izolimi dhe kontrollet e shpeshta ishin shkelje e të drejtave të tij, ashtu si dhe prangosja e shpeshtë gjatë muajve të parë të burgosjes.

Megjithëse qelia e tij është një apartament me 3 dhoma, ku ai mund të bëjë palestër dhe të luajë me “play station”, gjykata në Oslo vendosi se trajtimi i tij në burgun e sigurisë së lartë “Skien” shkelte Konventën europiane për të Drejtat e Njeriut.

Pikërisht këtë vendim po kundërshton qeveria norgjeveze, e cila bashkë me sistemin e drejtësisë në vend u kritikua ashpër për trajtimin tejet njerëzor të një vrasësi të tillë, kritika që vetëm u shtuan pasi u vendos se Breivikut i ishin shkelur të drejtat.

Qeveria në Olso, përmes apelit të saj pretendon se Breivik, pavarësisht krimeve të tmerrshme që bëri, po trajtohet mjaft mirë. Breivik u dënua me 21 vite burgim për krimet e tij, me mundësinë që burgosja të shtyhet, nëse ai konsiderohet i rrezikshëm për t’u liruar.

Ndërsa pritet që ai të kalojë jetën e tij në burg, analistët mendojnë se tashmë ai ka pasur shumë vëmendje mediatike dhe i është krijuar më shumë se ç’duhet, mundësia për të qenë në qendër të opinionit e të transmetojë pikëpamjet e tij ekstremiste.

Top Channel