Itali, arrestohen piratët kompjuterikë që përgjuan Renzin dhe Draghin

10/01/2017 00:00

Policia italiane arrestoi dy persona që përgjuan në mënyrë kibernetike “e-mail”-et e mijëra personave, mes të cilëve kreun e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, ish-kryeministrin Matteo Renzi, si dhe disa kardinalëve në Vatikan.

Giulio Occhionero, 45 vjeç, dhe motra e tij Francesca Maria Occhionero, 48 vjeç, akuzohen se kanë vjedhur sekrete shtetërore dhe për pirateri kibernetike. Zyrtarë të policisë italiane thanë se, mes “e-mail”-eve të piratuara ishin ato që bankierëve dhe biznesmenëve.

Hetuesit thonë se Gulio Occhionero zotëron një kompani investimesh ndërsa informacionet që vidhte prej vitesh nga komunikimet elektronike dhe “e-mail”-et, i përdorte për të bërë investime duke u bazuar te këto informacione të rezervuara, një avantazh i jashtëzakonshëm në botën e financës, ku Occhionero dhe motra e tij ishin të njohur.

45-vjeçari përdori një program që quhet “Eye Piramid”, në referencë të syrit të Zotit që sheh gjithçka, për të pasur akses tek “e-mail”-et e personave që kishte në objektiv. Hetuesit italianë thanë se Occhionero ndërhyri në mbi 18 mije “e-mail”-e dhe të dhënat që merrte i ruante në servera në SHBA, që tashmë janë sekuestruar nga FBI-ja dhe pritet të dërgohen në Itali.

Ekspertët e informatikës kanë nisur ndërkohë të ngrenë dyshime se Gulio Occhionero, me profesion inxhinier bërthamor, dhe motra e tij Franceska janë thjesht fasada e këtij sulmi kibernetik. Ata thonë se një operacion kaq i komplikuar në shkallë industriale, që zgjat prej vitesh, duket të ketë pas një ekip të tërë piratësh kompjuterikë, pa llogaritur faktin se mbajtja sekrete e virusit për kaq kohë kërkon kapacitete të një niveli tejet të lartë, që nuk është në mundësitë e dy të arrestuarve.

Ekspertët thonë se dy të arrestuarit nuk janë fare të njohur në botën e piratëve informatikë dhe nuk mund të bëhesh kaq i zoti befas, pa e kuptuar askush.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel