Gripi, 22 mijë të prekur. ISHP: Rënie e kërkesave për ndihmë mjekësore

10/01/2017 00:00

Numri i personave të prekur nga gripi AH3N2 është rritur. Nga 19 mijë, që ishte numri i të prekurve nga infeksionet respiratore, që janë tregues të shpërthimit të epidemisë, këtë javë numërohen rreth 22 mijë të prekur.

E megjithatë shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva bino, thotë për Top Channel se edhe pse situata e gripit në vendin tonë mbetet mbi pragun e epidemisë, rritja është e lehtë, jo e thellë.

Sipas mjekes, ajo që vërehet është se, nëse në Tiranë kemi një tendencë në ulje të të prekurve nga gripi, në qytete të tjera si: Berati, Gramshi, Fieri, Durrësi, Skrapari dhe Peqini, numri i të prekurve është rritur.

Por, me rëndësi mbetet fakti që nuk shënohen shpërthime madhore, në ambiente me kolektiv të madh, siç janë azilet. Doktoreshë Bino thotë se vërehet një rritje e ndjeshme e numrit të të prekurve mbi moshën 60 vjeç.

Ndërsa sa i takon rasteve të rënda, duke iu referuar shtrimeve të ditëve të fundit, rezulton se në situatë kritike për jetën janë 6 persona, 1 i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, 1 në spitalin e Infektivit në QSUT dhe 4 të shtruar në spitalin e Shkodrës mesditën e ditës së martës.

Bino sqaron për Top Channel se procesi i vaksinimit po vijon normalisht, ku një pjesë e mirë e rretheve e kanë kaluar pragun mbi 50% dhe disa të tjerë në 10%. Në rang vendi procesi i vaksinimit është në masën 30%.

Në lidhje me infeksionet diarike mësohet se kemi një numër shumë më të ulët të të prekurve krahasuar me një vit më parë. Nga 1.500 të prekur vitin e kaluar, sivjet janë vetëm 1.161.

Top Channel