Autoritetet kanë mbyllur shkollat dhe çerdhet në kryeqytetin grek, ndërsa banorëve iu është kërkuar të mos dalin nga shtëpitë në kushtet e një moti tejet të vështirë dhe dëborës që ka zbardhur të gjithë rajonin përreth Athinës.

Monumente të lashta si Partenoni në Akropol, harku i Adrianit apo tempulli i Zeusit ishin mbuluar mëngjesin e së martës nga një shtresë të trashë bore. Mjaft banorë kanë marrë lopatat e i kanë hyrë punës për të pastruar hyrjet e shtëpive të tyre nga bora.

Temperaturat nën zero kanë bërë që shumë rrugë të mbulohen nga akulli, e për këtë arsye, është vendosur që ato të mbyllen për qarkullim.

Bashkia e Athinës ofroi streha të ngrohta të përkohshme për të moshuarit e të pastrehët, veprim ky i shoqëruar me këshillat drejtuar të gjithëve që të shmangin lëvizjet sa më shumë të jetë e mundur.

Fronti polar ka mbërritur deri në ishujt e Greqisë. Disa refugjatë në Lesbos, të cilët i janë larguar kampeve për arsye sigurie, kanë zgjedhur të qëndrojnë nëpër ndërtesa të braktisura pavarësisht të ftohtit apo faktit që aty nuk e kanë ushqimin të siguruar.

“Në kampin e Morias kishte probleme të mëdha, ishim të mbaruar atje, as gjumë, as shtëpi, prandaj u larguam”, tha Abbas, refugjat sirian.

Disa banorë të rajonet veriore dhe lindorë të Greqisë u kanë telefonuar stacioneve televizive për të treguar sesi bora e dendur i ka bllokuar në shtëpi e nuk dalin dot jashtë as për të blerë ushqime. Vala e të ftohtit, sipas meteorologëve, pritet të zgjasë e pakta edhe për dy ditë.

Top Channel