Haradinaj, Serbia i dorëzon Francës kërkesën për ekstradim

10/01/2017 00:00

Ministria serbe e Drejtësisë u ka dërguar autoriteteve franceze kërkesën e ekstradimit të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Lajmin e përcjell agjencia “Tanjug”, e cila citon për këtë pohim burime pranë ministrisë në fjalë.

Bashkë me kërkesën që Beogradi kishte njoftuar se do ta paraqiste shumë shpejt, është nisur edhe i gjithë dokumentacioni mbështetës i përkthyer në gjuhën franceze. Në bazë të këtyre dokumenteve, sistemi i drejtësisë në Francë do të vendosë tani nëse kushtet e ekstradimit të ish-komandandit të UÇK-së përmbushen apo jo.

Serbia e kërkon Haradinajn nën dyshimin se ka kryer krime lufte në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, të cilat nuk i janë parashtruar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila e ka shpallur dy herë të pafajshëm ish-kryeministrin kosovar. Sipas zyrtarëve serbë, bëhet fjalë për krime kundër popullatës civile në zonën e Dukagjinit.

Ekspertët thonë se, nëse Haradinaj gjykohet mbi aktakuzën e lëshuar në vitin 2004, atëherë ai nuk ka sesi të ekstradohet. Por nëse do të gjykohet mbi bazën e të dhënave të tjera, të cilat Serbia këmbëngul se i disponon, ndërsa ndërkombëtarët nuk kanë dijeni, atëherë mbetet për t’u parë se çfarë do të vlerësohet në seancën dëgjimore të enjten në Francë.

Haradinaj u arrestua më 4 janar në Aeroportin “Bazel-Muhlhouse” në bazë të një mandatarresti serb. Beogradi kishte afat 18 deri në 40 ditë për depozitimin e kësaj kërkese. Në momentin që Serbia dorëzon të gjithë dokumentet, Haradinaj do të dalë sërish para gjykatës, ku do të pritet dhe vendimi përfundimtar.

Bashkimi Europian, ndërkohë, vlerësoi përmes zëdhënëses Maja Kocijancic se, çështja e ndalimit të Haradinajt duhet zgjidhur në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe dhe se ky arrestim përbën një provë se dialogu Kosovë-Serbi është i nevojshëm. Sipas BE-së, Beogradi e Prishtina duhet të rregullojnë sa më parë marrëdhëniet mes tyre.

Top Channel