Debati Trump-Streep, Affleck del në krah të koleges

10/01/2017 00:00

Ben Affleck i ka dalë në mbrojtje aktores Meryl Streep pas mesazhit të Donald Trump-it kundër saj në “Twitter”.

Streep e përdori fjalën e mbajtur në ceremoninë e çmimeve “Globi i Artë” për të fshikulluar presidentin e zgjedhur sidomos për imitimin e një reporteri me aftësi të kufizuara. Por Trump reagoi shpejt duke e cilësuar aktoren e famshme si njërën prej të mbivlerësuarave në Hollivud dhe një servile të oborrit të Hillary Clinton-it. Affleck i doli në krah koleges së tij.

“Mendoj se Meryl ishte e shkëlqyer dhe besoj e dimë të gjithë që nëse ka një të vërtetë të padiskutueshme në faqe të dheut, ajo është se Meryl Streep nuk është kurrsesi e mbivlerësuar”, tha Ben Affleck.

Në internet kanë vërshuar ndërkohë komentet e amerikanëve që mbështesin aktoren e njohur jo vetëm për aftësitë e jashtëzakonshme të saj, por edhe për modestinë dhe thjeshtësinë që spikasin në një ambient teprimesh siç është Hollivudi.

“Sa herë që Donald Trump-i të thotë për Meryl Streep se është elitë ose jashtë orbite, shpërndajeni pak këtë foton”, shkruan një ndjekës i “Twitter”-it, Marcel Kolder, që poston foton e luksit të shfrenuar të Trump-it me të shoqen dhe të birin.

Të tjerë listojnë gjërat që Trump i konsideron, sipas tyre, të mbivlerësuara:  Mirësjelljen, empatinë, të vërtetën, sigurinë kombëtare, inteligjencën e amerikanëve.

“Mungesa  e respektit sjell mungesë respekti”, tha Streep në mbrëmjen e “Golden Globes”. “Dhuna sjell dhunë. E kur të fuqishmit e përdorin pushtetin për të tiranizuar të tjerët, atëherë kemi humbur të gjithë”.

Top Channel