Alliasi me linjë të re të ujit të pijshëm

10/01/2017 00:00

Banorët e zonës Allias-Bregu i Lumit do të kenë një furnizim normal me ujë të pijshëm, falë nisjes së ndërtimit të rrjetit të ri të ujësjellësit. Kryebashkiaku Erion Veliaj, bashkë me drejtorin e UKT-së, Redi Molla ka inspektuar punimet.

“Po bëjmë një investim në zonën e Bregut të Lumit për t’u siguruar që nuk investojmë vetëm në sheshin “Skënderbej” apo në qendrat e fshatrave e blloqeve të Tiranës, por në çdo cep të kryeqytetit”, theksoi Veliaj.

Nisur nga temperaturat e ulëta që po kalon kryeqyteti këto ditë, ai falenderoi punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve për menaxhimin e situatës, ndërsa garantoi qytetarët që të gjithë matësit e ujit të dëmtuar nga ngricat do të zëvendësohen nga vetë UKT, pa asnjë kosto për qytetarët.

“I falenderoj me gjithë zemër kolegët e Ujësjellësit sepse kjo ka qenë një situatë e jashtëzakonshme për Tiranën, për shkak të ngricave. Tirana nuk ka pasur kohë të tillë të ftohtë që nga viti 1985, çka do të thotë se ngrirja e tubacioneve dhe shpërthimet që kemi pasur në sahate është një situatë e paprecedentë. Kam lënë porosi si aksioner kryesor i UKT, që ndërmarrja të përballojë me shpenzimet e saj zëvendësimin e të gjithë sahatëve në qytetin e Tiranës, që asnjë prej banorëve të mos impaktohet në xhepin e vet dhe financat e familjes për kushte të natyrës. Kjo do të jetë diçka që do të kompensohet nga xhirot dhe të ardhurat e ndërmarrjes, çdo qytetar duhet të jetë i qetë për këtë çështje”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë u shpreh se me përmirësimin e situatës klimaterike, do të fillojë dhe zgjidhja e problemeve të trashëguara në Tiranë në 25 vitet e fundit.

Top Channel