Dhëndri këshilltar, demokratët presion Trump-it

10/01/2017 00:00

Demokratët kanë kërkuar që presidenti i zgjedhur Donald Trump të rishikojë zgjedhjen e dhëndrit të tij si këshilltar i lartë, pasi e konsiderojnë aktin nepotizëm dhe konflikt interesi.

Një grup i kërkon departamentit të drejtësisë dhe zyrës së etikës në qeveri, të shqyrtojë problemet ligjore të lidhura me emërimin e Jared Kushner, 36 vjeç.

Avokati i tij thotë se posti nuk shkel asnjë ligj anti nepotizëm. Kushner është martuar me vajzën e Trump, Ivanka. Miliarderi do të tërhiqet si bosi i biznesit familjar dhe botues i revistës “New York Observer” në mënyrë që të përmbushen kushtet e ligjeve për etikën. Këshilltari i Trump po ashtu do të heqë dorë nga asetet kryesore.

Më 20 janar, Trump do të bëjë betimin si presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara. Disa nga përzgjedhjet e tij në kabinet kanë interesa biznesi dhe do të shqyrtohen në seanca dëgjimore që do të mbahen këtë javë. Përzgjedhja e Trumpit për prokuror të përgjithshëm, senatorin e Alabama-s Xhef Sesions, është i pari që do të përballet me komisionin e posaçëm të senatit.

Atij i ishte mohuar një post federal gjyqësor në 1986 për shkak të komenteve raciste. Ndryshe nga pozicionet në kabinet, këshilltarët konsiderohen pjesë e stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe nuk kanë nevojë për miratim nga Kongresi.

Një ligj i nënshkruar nga presidenti Lindon Xhonson në 1967, parandalon zyrtarët publikë që të promovojnë të afërm në pozicione civile në agjencinë në të cilën ai shërben ose mbi të cilën ka juridiksion apo kontroll. Ky ligj mendohet se është nxitur nga emërimi i vëllait të Xhon Kenedit, Robert, në postin e prokurorit të përgjithshëm në 1960-ën.

Ligji do të ndalonte edhe presidentin ti jepte një post në kabinet një të afërmi, por kur bëhet fjalë për poste që nuk lidhen me kabinetin, si për shembull këshilltarë, ligji nuk është i testuar. Demokratët në Kongres i kanë kërkuar departamentit të drejtësisë të vlerësojë nëse emërimi i dhëndrit si këshilltar përbën nepotizëm apo jo.

Top Channel