TCH zbardh kontratën, Muzaka: Dua 11 milionë lekë

09/01/2017 00:00

Ka dështuar seanca e parë e pajtimit mes Klubit Tirana dhe futbollistit të saj Gjergji Muzaka.

Kërkesa për 16 rroga që futbollisti pretendon nga klubi është një temë e diskutueshme sipas deklaratave të fundit të Presidentit Refik Halili, ndërkohë që gjithçka është shfaqur në momentin kur Muzaka e sheh veten jashtë zborit të Antalias, ku e gjithë skuadra ka shkuar për të përgatitur dy fazat e mbetura të kampionatit.

Muzaka është paraqitur këtë të hënë në dyert e Federatës Shqiptare të Futbollit për të patur një ballafaqim në prani të përfaqësuesve ligjorë të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve, por nga Klubi Tirana nuk është paraqitur askush.

Publikisht Muzaka kërkon nga klubi 16 muaj rroga, për një pagë mujore prej 700 mijë lek, pra në total prej rreth 11 milion lekësh. Diçka e tillë konfirmohet edhe nga kontrata mes lojtarit dhe klubit, një kopje të së cilës ka mundur të sigurojë konfidencialisht edhe Top Channel.

Megjithatë, po sipas kësaj kontrate, konfirmohet se paga bazë e futbollistit është 100 mijë lekë bruto në muaj dhe 600 mijë lekë të tjera në muaj janë bonus. Gjithashtu është e parashikuar se në rast dëmtimi, lojtari do të paguhet për 4 muajt e parë të dëmtimit me pagën bazë, pra 100 mijë lekë dhe jo 700 mijë siç është në total bashkë me bonusin.

Në këtë periudhë që futbollisti Gjergji Muzaka është lojtar i skuadrës bardheblu ka patur dy dëmtime relativisht të gjata. Gjithsesi, nëse janë 11 milion lekë që klubi bardheblu duhet t’i japë futbollistit, sipas pretendimit te tij apo rreth 8 milion, sa pretendon klubi, fakt është që njëra nga këto shifra vlen edhe prishjen e dashurisë mes Tiranës dhe Gjergji Muzakës.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel